Deputetët e opozitës kanë vijuar me përpjekjet e tyre për të bllokuar punimet në Kuvendin e Shqipërisë. “Nuk duam parlament monist”, “Vrasës i pluralizmit”, “Vrasës i demokracisë”, ishin mesazhet e shkruara në pankartat që mbanin në duar. Të pozicionuar pranë foltores e tavolinës së ministrave, ata kanë përdorur gjatë gjithë seancës bilbilë zhurmues. Ndërkaq, shumica parlamentare për rreth 12 minuta sa zgjati seanca kanë miratuar tri akte normative, katër projektligje e pesë projektvendime.
Me fillimin e seancës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla i kërkoi gardës që të largohen nga pozicioni përpara tavolinës së ministrave. E gjithë seanca u mbajt në kushte tensioni, derisa punimet filluan me votimin e pikave të planifikuara në rend të ditës.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë disa herë ka ftuar deputetët që të lirojnë foltoren dhe të pozicionohen në ulëset e tyre.
Deputetët e opozitës kanë vendosur të bllokojnë seancat e kuvendit, meqë konsiderojnë se shumica parlamentare u ka pamundësuar ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare dhe se nuk po u lejohet zëvendësimi i anëtarëve të komisionit të reformës zgjedhore.