Shqipëri, nënshkruhet marrëveshja me “Frontex”, Balla: Kontribut për sigurinë në rajon
Rajoni
Lexohet për: 4 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministri i Brendshëm,Taulant Balla nënshkroi sot marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për aktivitetet operacionale të FRONTEX. Në emër të Bashkimit Europian firmosën Johannes Luchner, zv.drejtor i përgjithshëm për Çështjet e Brendshme në Komisionin Europian dhe Álvaro Renedo Zalba, ambasador i Spanjës në Tiranë, vendi i të cilit mban Presidencën e Këshillit të BE.

Ministri i Brendshëm nga Shqipëria, Balla e konsideroi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të përmirësuar, si dëshmia e radhës e vullnetit të padiskutueshëm për të kontribuar në sigurinë e përbashkët të hapësirës së zgjeruar evropiane.

”Ambicia jonë nuk është të jemi thjesht përfitues nga mekanizmat komunitarë për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, por të marrim rolin e një vendi kontribuues për sigurinë në rajon e më gjerë”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Ambasadori spanjoll tha se marrëveshja do të ndihmojë në fuqizimin e bashkëpunimit me të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili është një prioritet për BE-në dhe në veçanti, sipas tij për Presidencën spanjolle të BE-së.

“Kufij të përbashkët nënkuptojnë edhe përgjegjësi të përbashkëta. Kjo është filozofi thelbësore e integrimit në BE. Në të njëjtën kohë, kufijtë e përbashkët dhe përgjegjësitë e përbashkëta, ofrojnë gjithashtu mundësi të gjera për ndërveprim konstruktiv, e nëse ne kemi një qasje koordinuese dhe bashkëpunuese, dhe ndajmë praktikat më të mira, mësojmë prej njëri-tjetrit. Një mjet veçanërisht i fuqishëm në menaxhimin e kufirit konsiston në përpjekjet e përbashkëta dhe të harmonizuara prej të gjithë aktorëve, BE, agjencitë e saj, vendet anëtare, por gjithashtu edhe partnerët e saj të privilegjuar, të tillë si Shqipëria, një vend kandidat që në qershor 2014, procesi i integrimit të së cilës ka një natyrë strategjike jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, por edhe për Europën si një e tërë”, nënvizoi ambasadori i Spanjës në Tiranë.

Zv.drejtori i DG Home tha se operacionet e përbashkëta që vijojnë në Shqipëri që prej 2019 kanë sjellë rezultate vërtet shumë pozitive, sa i përket uljes së migracionit të parregullt e krimit ndërkufitar. Zyrtari i lartë i Komisionit Europian deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjes është një dëshmi tjetër e fortë e përafrimit gjithnjë e më afër të Shqipërisë me BE-në.

“Migracioni është vërtetë një sfidë, por një sfidë ama, e cila trajtohet në mënyrën më të mundshme duke bashkëpunuar, duke punuar së bashku, duke vënë në zbatim një model të duhur të menaxhimit të kufirit, i cili bazohet tek siguria, tek dinjiteti, tek fakti që ne të gjithë duhet të përpiqemi, që të japim mbrojtjen e duhur atyre që e meritojnë dhe që kanë nevojë për të”, tha Luchner.

Ministri Balla tha se për Shqipërinë nuk ka plan B, por vetëm plani A, që është anëtarësimi në Bashkimin Europian. E bashkëpunimi me FRONTEX në këto 4 vite e në vijim ka në thelb edhe transformimin e Policisë Kufitare në një partnere të denjë të policive partnere europiane, transmeton ATSh.

“Me nivelin e bashkëpunimit të arritur me FRONTEX dhe EUROPOL, Policia e Shtetit ka arritur vërtet të dëshmojë se mund të mbajë barrën e një përgjegjësie të lartë, të denjë për një vend kandidat për në familjen e madhe evropiane. Po ashtu jemi të sigurt se përmes kësaj marrëveshjeje, do të zhvillojmë cilësisht më tej kapacitetet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit ndërkufitar, por mbi të gjitha, do të rrisim nivelin e besimit reciprok mes Policisë Shqiptare dhe strukturave homologe evropiane”, theksoi Balla.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024