Shqipëri, Muzeu Historik një prej destinacioneve të turistëve, mbi 13 mijë gjatë korrikut
Lexohet për: 2 min.
muzeu-historik-kombetar
1 vit më parë
Linku u kopjua

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë, i cilësuar si një atraksionet kulturore dhe historike më të vizituara në kryeqytet gjatë korrikut ka shënuar një numër të lartë vizitorësh.

“Në muajin korrik muzeu u vizitua nga 13 mijë e 546 vizitorë në total, ose 141% më shumë vizitorë në total në krahasim me muajin korrik të vitit 2022 që kishte 5 mijë e 614  vizitorë në total”, theksoi Muzeu Historik Kombëtar.

Vizitorët vendas e të huaj interesohen për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, shpjeguar kjo nëpërmjet artefakteve dhe objekteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar, shkruan atsh, transmeton KosovaPress.

Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.

Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit), si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025