Gruaja e Rexhep Selimit, Shqipja ka thënë se pret ai dhe shokët e tij së shpejti të kthehen të pafajshëm në Kosovë.
Në vizitat në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës, ajo tha "Rexha po mbahet i fortë dhe nuk dorëzohet".
"Nesër pres që katër liderët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ta marrin fjalën. Nuk jam e sigurt qe a do të flasin apo jo por besoj qe do ta shfrytëzojnë të drejtën që ju takon që secili ta ketë nga një fjalë përfundimtare rreth këtij procesi . Megjithatë, unë besoj që nuk mund ta thonë gjithë atë nëse flasin, nuk mund ta thonë atë që mendojnë vërtetë rreth kësaj gjykate për arsye të penalizimit të tyre sepse kjo prokurori nuk ka treguar shembuj konkret që është në anën tonë, përkundrazi ata po paragjykojnë, kanë paragjykuar edhe vazhdojnë të paragjykojnë të drejtën tonë për çlirim, liri dhe për pavarësi", tha ajo.
Ajo pret drejtësi nga trupi gjykues, meqë thotë se prokuroria po bazohet në dosje nga Serbia.
Në intervistën për KosovaPress, ajo foli edhe për vizitën e fundit në Qendrën e paraburgimit dhe se cilat janë fjalët e Rexhep Selimit.
"Vizitat i kemi të përmuajshme, periodike për çdo muaj nga tre ditë, nga tre orë, janë të shkurtra por që nuk mjaftojnë normalisht që të çmallemi por normalisht mjafton që e kemi atë të drejtë të paktën t'i vizitojmë...Rexha mbahet i fortë nuk dorëzohet, nuk ankohet edhe unë besoj shumë në pafajësinë e tij dhe të shokëve të tij dhe presim që shumë shpejt të krhehen të lirë në Kosovë tonë", përfundoi Selimi.
Kjo shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.