Shqetësuese/ Gjysma e skuadrave të Superligës pa stadiume
Lexohet për: 2 min.
Superliga-
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Pesë nga dhjetë skuadrat që do të garojnë në Superligën e Kosovës në futboll në edicionin 2024-25 janë pa stadiume dhe ndeshjet do t’i zhvillojnë në fusha jo adekuate, përkatësisht në ato që shfrytëzohen për stërvitjet e shumë skuadrave.

Klubet si Drita, Gjilani, Prishtina, Ferizaj e Suhareka vazhdojnë të përballen me këtë problematikë të madhe dhe përfaqësuesit e këtyre klubeve kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë pasi kjo po i penalizon ato si në aspektin sportiv edhe në atë financiar.

Trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi thotë se ata në shumë raste janë të detyruar t’i ndalin stërvitjet para kohe për shkak të terminëve që kanë klubet tjera në të njëjtën fushë.

Edhe drejtori i Dritës, Feti Murseli thotë për KosovaPress se mungesa e stadiumit po i shkakton dëme të mëdha edhe financiare klubit.

“Nuk është viti i parë që po e kalojmë këtë periudhë të vështirë në mungesa të stadiumit dhe infrastrukturës në qytetin tonë të Gjilanit. Është shumë e vështirë, e kemi përsëritur shumë herë, po na penalizon për shumë gjëra, si për ekipin e parë për stërvitje, për mungesën e zhveshtoreve, zyreve. Po ashtu po na penalizon edhe në pjesën financiare, nuk po e kemi mundësinë për të bërë reklama të mira për sponzorisues, për investitorë, shitjen e biletave e të gjitha tëtjerat që përcillen në këtë drejtim”, ka thënë Murseli.

Kurse, menaxheri i klubit të futbollit Gjilani, Drilon Sylejmani thekson se për shkak të mungesës së stadiumit, klubi po pëson humbje edhe për shkak të mos shitjes së biletave.

Sylejmani gjithashtu ka bërë të ditur se punimet në stadiumin e Gjilanit janë pezulluar përsëri dhe kjo për shkak se njëri nga ofertuesit është ankuar dhe nuk dihet se kur do të nisin punimet në ndërtimin e tij.

Ndryshe, edicioni i ri garues i Superligës së Kosovës në futboll do të nis me 10 gusht, derisa Ferizaj dhe Suhareka janë dy skuadrat e reja që janë inkuadruar në Superligë nga Liga e Parë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024