Policia e Kosovës ka dhënë detaje të dielën për shpërthimin e një bombole gazi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku si pasojë mbetën të lënduar 14 persona.
Siç njofton policia, rasti ka ndodhur rreth orës 16:35, ku shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen.
“Kçiq i Madh, Mitrovicë Jugu / 13.01.2024 – 16:35. Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale. Në vendin e ngjarjes përves njësive të nevojshme policore kanë dalë edhe zjarrfikësit dhe eksperti i zjarrit. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.
Pacientët pasi kishin marrë trajtimin fillestar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, janë sjellë në QKUK me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshme të trupit, si fytyrë, duar dhe këmbë.