Komandanti i stacionit policor në Mitrovicë të Veriut, Rexhep Kastrati ishte ftuar të raportonte në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, më 27 mars 2026. Por, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë të Veriut thotë se Policia nuk e ka obligim të raportojë para kuvendeve komunale.
Elshani tregon për KosovaPress se obligimi ligjor i Policisë është që të raportojë vetëm në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), një organ që formohet nga kryetari i komunës dhe funksionon në bazë të udhëzimeve administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ai thotë se ftesa të tilla kanë marrë edhe më parë.
“Ne kemi pasur raste kur kemi një raportim vjetor, mirëpo ai raportim vjetor mund të mbahet në vendin ku mbahet seanca e kuvendit komunal, sepse është vendi më i mirë dhe më i hapur për njerëzit dhe mund të marrin pjesë të gjithë. Ne e ftojmë raportimin, ne e bëjmë raportimin, por nuk kemi obligim me shku edhe me raportu para kuvendit komunal. Kemi pasur ftesa nga Leposaviqi fillimisht, nga Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut, por ne nuk do të raportojmë me kërkesë të Kuvendit Komunal. Çdo herë kur kryetarët e komunave na thërrasin, komandantët e stacioneve shkojnë dhe flasin me ta tek KKSB-ja, ku e kemi obligim me raportu,” thotë Elshani.Megjithatë, mosprezenca e tij në këtë seancë ka nxitur debat të ashpër mes përfaqësuesve politikë lokalë, të cilët kanë shprehur qëndrime të kundërta për obligimet ligjore dhe bashkëpunimin institucional.