Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas polemikave të bëra dje mes ish-kabineteve presidenciale se ulja e shpenzimeve të kabinetit të saj ka bëjë për shkak të “izolimit ndërkombëtar”.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se keqpërdoruesit recidivistë të pushtetit dje kanë tentuar të ndërtojnë narrativën se shpenzimet shumëfish më të vogla të kabinetit të saj janë për shkak të "izolimit ndërkombëtar".
Ajo ka thënë se kujdesi ndaj parasë publike dhe transparenca e plotë janë rruga e vetme përpara.
“E vërteta është se në vitin 2021, ne kemi realizuar më shumë aktivitete ndërkombëtare se sa në periudhat paraprake (pa pandemi), ndërkaq kemi shpenzuar shumëfish më pak. Përderisa për këdo që pa paragjykime ka përcjellë aktivitetin tim për promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë nuk kam nevojë ta jap këtë shpjegim, dua t’i them keqpërdoruesve recidivistë që e vetmja gjë që kam izoluar është dëmi i madh ndaj vendit për të cilin duhet t’u "falënderohemi" pushteteve paraprake. Idetë për ndarje e defunksionalizim të Kosovës promovoheshin me para të taksapaguesve, ndërkaq sot në vend se të skuqen për gjithë dëmin e shkaktuar, dalin e ankohen pse Presidentja e sotme nuk po vepron sikur pushtetarët paraprak. Ta keni të qartë, ju nuk jeni standardi me të cilin ne e matim veten. Jeni shembull i modelit që nuk duhet ndjekur”, ka shkruar ajo.