Shoqëria LËVIZJA kërkon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara të veprojnë me masa konkrete ndëshkuese ndaj Serbisë.
Përmes një njoftimi, LËVIZJA deklaron se sulmi terrorist ndaj Kosovës “tregoi më së miri se të gjitha përpjekjet dhe investimet e fuqive të mëdha perëndimore për të kthyer Serbinë në rrugën demokratike.
Në njoftim theksohet se sulmi i 24 shtatorit, i orkestruar nga Serbia, ka demaskuar Vuçiqin si shkaktar i tensioneve në Kosovë.
"Sulmi terrorist ndaj Republikës së Kosovës, i organizuar dhe orkestruar nga Serbia, e demaskoi Vuçiqin dhe shtetin e tij para botës demokratike si përgjegjës dhe shkaktar të tensioneve në Kosovën Veriore dhe në rajon. Sulmi i fundit ndaj lirisë, pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, i përgatitur dhe organizuar nga organet e specializuara shtetërore të Serbisë, e bindi pjesërisht botën demokratike se Serbia e Vuçiqit “po luan me zjarrin”, siç e tha sot një eurodeputet holandez”, thuhet në njoftimin e Shoqërisë LËVIZJA.
“Zjarri që kërkon të ndezë Serbia në Kosovën shqiptare do ta digjte rajonin. Flakëve të këtij zjarri nuk do t’u shpëtonte as Europa. Një luftë e Serbisë me Kosovën në asnjë rrethanë dhe me asnjë kusht nuk mund të mbetet luftë e izoluar”, thuhet tutje në njoftim.
LËVIZJA vlerëson lartë punën e Policisë së Kosovës pas agresionit të paprovokuar ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.