Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e Këshillit të 30-të ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, i cili nga sot deri më 1 dhjetor do të mbahet në Shkup, ku pritet të marrin pjesë rreth 1000 delegatë. Kjo ka bërë që sot në kryeqytetin maqedonas të bllokohen disa rrugë.
E për shkak të kësaj mbledhjeje, qeveria e Maqedonisë ka vendosur që sot (e mërkurë) orari i punës për të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore dhe publike në territorin e qytetit të Shkupit të përfundojë në ora 12:00 dhe nesër të jetë ditë pushimi për të gjithë punonjësit në administratën shtetërore dhe publike, si dhe për shkollat bazë dhe të mesme në zonën e kryeqytetit.
Ndryshe, takimi do të shënojë praninë e diplomatëve të parë të Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse, Anthony Blinken dhe Sergei Lavrov, duke e bërë atë një nga ngjarjet e pakta që do t’i gjejë të dy në të njëjtin vend që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, në shkurt 2022.
76 delegacione nga 57 shtete anëtare dhe shtete partnere të Organizatës do të marrin pjesë në ngjarjen më të madhe politiko-diplomatike që është zhvilluar në Maqedoni që nga pavarësia.
Maqedonia e Veriut konfirmoi se do ta lejojë uljen e avionit të Lavrovit, ndërsa Bullgaria i dha leje atij që ta shfrytëzojë hapësirën e saj ajrore në rrugën për në Shkup.
Shkupi e mori vetë këtë vendim, por është e qartë se ai plotëson dëshirën e shumicës së anëtarëve të OSBE-së, të cilët argumentuan se prania e Lavrovit kësaj radhe mund të jetë e dobishme.