Në Kongresin 2022 të Bioteknologjisë Evropiane që i zhvilloi punimet në Pragë të Çekisë prej 5 deri më 7 tetor ishte i ftuar edhe shkencëtari ynë kosovar Profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Prof. dr. habil Bajram Berisha.
Në Kongresin 2022 të Bioteknologjisë Evropiane që u organizua nga Shoqata Evropiane e Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë (European Biotechnology Thematic Network Association), Profesori Berisha sikur edhe herëve të tjera ishte i ftuar për të dhënë një ligjëratë nga fusha e tij shkencore.
E cili është Profesor Berisha? Profesor Bajram Berisha ka studiuar në Universitetin e Prishtinës (UP), magjistraturën në Universitetin e Lubjanës, ndërkaq ka doktoruar dhe është habilituar në Universitetin Teknik të Munihut (TUM). Është profesor i universitar në TUM (Gjermani), në UP (Kosovë) dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës (Shqipëri).
Profesor Berisha ka realizuar dhjetëra projekte shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare në Gjermani, në Kosove dhe në Shqipëri.
Profesor Berisha në Kosovë ka kryer detyra me përgjegjësi në institucionet e arsimit të lartë dhe të shkencës, ndërkaq aktualisht është anëtar i Këshillit Kombëtarë te Shkencës.
Për arritjet e tija shkencore, Profesor Berisha është dekoruar nga institucione të ndryshme shkencore ndërkombëtare, ndërkaq së fundmi nga Universiteti Teknik i Munihut është zgjedhur “TUM Ambasador”, dhe nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Profesor Berisha po ashtu është njëri ndër shkencëtarët më kulmorë të Institutit Alb-Shkenca dhe promotori i përhapjes dhe përcjelljes së dijes shkencore të brezat e studiuesve në Kosovë, në Shqipëri e në Gjermani dhe gjithandej.