Gjatë realizimit të detyrave e aktiviteteve policore, zyrtarë policorë nga Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, sot rreth orës 06:15, në Bube të Zubin Potokut, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve.
Në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar.
Gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabandë nga Serbia në Kosovë. Po ashtu janë hasur edhe dy automjete të braktisura, të cilat dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori.
Kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vend-ngjarje janë konfiskuar, ndërsa me aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje 48 orë.