Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas mbi nëntë muaj hetime, shkatërruan një grup kriminal të trafikut të armëve, aktiv në të dy shtetet.
Kështu ka njoftuar prokuroria përmes një komunikate për media duke thënë se me urdhër të Prokurorisë Speciale, më 10 dhjetor 2024, Policia e Kosovës ka zhvilluar në teren një plan operativ, me ç’rast janë kryer urdhërkontrollë në nëntë lokacione pronë e të dyshuarve.
Tutje thuhet se në koordinim me PSRK-në dhe me Policinë e Kosovës më datën 11 nëntor 2024 nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në funksion të këtij procedimi u zhvillua operacioni për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për 6 persona dhe kontrolli i banesave për 7 vende.
“Gjatë këtij operacioni u ndaluan për veprat penale ‘Trafikimi i armëve dhe municionit’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Trafikimi i armëve dhe municionit’ e kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 278/5/ dhe 278/a/2 i K.Penal të 6 personave: E.M. E.P. A.M. G. Ll. K.M. dhe T.Sh. Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fishek të llojeve të ndryshme. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash e 10 aparate celulare”, thuhet në njoftim.“Pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK kishte autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave. Nga hetimet e zhvilluara përmes masave të veçanta të hetimit janë dokumentuar raste të shitjes së armëve të zjarrit kryesisht pistoleta ‘Zoraki” të trafikuara nga Kosova drejt Shqipërisë. Në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Policinë dhe Prokurorinë kompetente të Republikës së Shqipërisë, hetimet janë zhvilluar në të dyja shtetet, ndërsa me datë 28.06.2024 është nënshkruar Marrëveshje për Themelimin e Ekipit të Përbashkët Hetimor, mbështetur nga Projekti i EUROJUST për vendet e Ballkanit Perëndimor. Hetimet po ashtu janë mbështetur dhe nga EUROPOL”, është thënë në komunikatë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe shkëmbimeve të informacioneve grupet hetimore të përbashkëta në njoftim thuhet se janë zhvilluar disa takime operacionale në funksion të këtij procedimi.