Me tetë vota për dhe një abstenim, Këshilli Drejtues i UP-së ka vendosur për shkarkimin e rektorit, Naser Sahiti. Në mbledhjen e sotme të këshillit me vota unanime është vendosur për shkarkimin e tij dhe ushtruesen e detyrës së rektorit, Luljeta Plakolli-Kasumi. Për këtë të fundit u tha se ka qenë propozim i hapur dhe do të qëndrojë në këtë pozitë deri sa të përfundojë procesi i konkursit për zgjedhjen e rektorit.
Zëvendëskryesusesja e Këshillit Drejtues të UP-së, Arbëresha Nela-Turjaku ka njoftuar se nga e hëna do të hapet konkursi për zgjedhjen e rektorit të universitetit.
Ai ka shtuar se ushtruesja e detyrës së rektorit ka plotësuar kriteret për këtë detyrë.
“Ka qenë propozim i hapur prej anëtarëve të këshillit dhe normalisht që paraprakisht janë konfirmuar të gjitha kushtet, kriteret në qoftë se profesoresha e nderuar i plotëson për të ushtruar këtë detyrë dhe nga këshilli me vota unanime prej nëntë votave është emëruar si ushtruese e detyrës së rektores, deri në kohën sa të përfundon i gjithë procesi i konkursit për zgjedhjen e rektorit, sipas dispozitave ligjore të përcaktuara”, ka shtuar ajo.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti ka mohuar se ka pasur marrëveshje mes senatorëve dhe zyrtarëve të ministrisë për shkarkimin e rektorit, Naser Sahiti.
“Jo, ju mundeni me vërejt që janë tetë vota për, nuk ka pasur asnjë bashkëpunim me anëtarët që vijnë prej senatit. Ata anëtarë vijnë prej sistemit që kemi gjetur ne, ne nuk e kemi krijuar sistemin që e kanë sjellur ata. Është sistem që ka funksionuar tash e një kohë”, ka shtuar ai.
Ai tha se nuk qëndrojnë deklarimet e ish-rektorit, Naser Sahiti se kjo mbledhje është mbajtur në mënyrë jashtëligjore.
“Kjo nuk qëndron për shkak se sipas statutit, kryesuesi e thirr mbledhjen. Unë e kam thirr personalisht si kryesues i Këshillit Drejtues, e kam thirrur tri ditë përpara, ashtu siç e parasheh rregullorja për punën e Këshillit Drejtues. Nuk qëndron ajo, nuk qëndron konstatimi i ish-rektorit Sahiti”, ka përfunduar Sahiti.