Vetëvrasja është një nga sfidat më të mëdha shoqërore dhe shëndetësore që prek shumë vende në botë, përfshirë edhe Kosovën. Megjithatë krahasuar vitin 2023 me vitin 2024 ky fenomen ka shënuar rënie në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2024 sipas Policisë së Kosovës janë raportuar 141 raste nga to 123 tentim vetëvrasje dhe 18 vetëvrasje.
Ndërsa sipas të dhënave nga Policia e Kosovës në vitin 2023, janë raportuar 164 raste, ku 123 nga to ishin tentim vrasje dhe 41 vetëvrasje.
Policia e Kosovës ka njoftuar se statistikat e vitit 2024 janë grumbulluar përgjatë vitit deri më datën 12 dhjetor.
“Gjatë vitit 2024, deri më 12 dhjetor janë regjistruar: Suicide 141, në tentativë 123 dhe të kryera 18. Ndërsa përgjatë 2023, suicide 164, në tentativë 123 dhe të kryera 41”, ka thënë Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.Derisa edhe linja telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve “Linja e Jetës” ka pranuar gjatë 2024-ës mbi katër mijë thirrje dhe ka zgjeruar orarin e punës e cila ka qenë prej orës 14:00 deri në 2:00 të mesnatës, tashmë nga 10:00 deri në 2:00 në mesnatë dhe ka lansuar chatin, në të cilin mund të shprehen personat me mendime të tilla.
Udhëheqësi i kësaj organizate, Bind Skeja ka thënë për KosovaPress se peticioni për parandalimin e vetëvrasjeve që është dërguar në Kuvendin e Kosovës me mbi 10 mijë nënshkrime do të fillojë të hartohet në këtë vit dhe sipas tij do të ndryshojë shumëçka për këtë linjë telefonike.