Shuhet zjarri në objektin në Prishtinë, rruga ‘Migjeni’ mbetet e mbyllur
Lajme
Lexohet për: 1 min.
Policia e Kosovës ka mbyllur rrugën ‘Migjeni’, për shkak të zjarrit që kaploi kulmin e një objekti në këtë rrugë.
Fillimisht zjarri dukej në përmasa të vogla, më pas u zgjerua por zjarrfikësit kanë arritur ta vënë nën kontroll. Aktualisht zjarrfikësit vetëm po qëndrojnë aty, megjithatë rruga mbetet e mbyllur për automjetet.
Kështu raporton ekipi i KosovaPress, që është në vendin e ngjarjes. Aty kanë dal zjarrfikësit me katër automjete dhe policia e cila ka krijuar një perimetër të sigurisë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti i ka thënë KosovaPress-it, se sot rreth orës 15:30, kemi pranuar informatën për një zjarr në një objekt në rrugën ‘Migjeni’ në Prishtinë.
Sipas saj, në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët janë duke u marrë me rastin.
Objekti në fjalë është në lagjen “Qafa”, konkretisht në objektin e Kino ABC.