Në përkujtim të 23 vjetorit të masakrës së Dubravës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Avni Puka, të mbijetuarin e masakrës së Dubravës, deputetin Enver Dugolli, të shoqëruar nga studentët e Fakultetit Juridik, kanë vizituar sot pavionët dhe hapësirat e Qendrës Korrektuese në Dubravë.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja Haxhiu tha se kjo ditë na rikujton dhunën, torturën dhe masakrën që forcat serbe e kanë bërë ndaj të burgosurve shqiptar në Dubravë.
“Unë shpresoj shumë që gjeneratat e ardhshme si ju, do të profilizohen në adresimin e krimeve të luftës, në hetimin dhe hulumtimin e tyre, në mënyrë që e kaluara jonë të jetë shkak i fuqizimit të Kosovës, i krijimit të paqes së qëndrueshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut” tha ministrja Haxhiu në mbyllje të fjalimit të saj.
Në këtë ngjarje, ministri Liburn Aliu, njëherit i mbijetuar i masakrës së Dubravës, tha se burgu i Dubravës është dëshmia më makabre e pushtuesit serb, e po ashtu edhe vendngjarja e krimit gjenocidal të tyre ndaj të burgosurve shqiptar, njëheras një prej episodeve më të tmerrshme të historisë sonë. "Pikërisht 23 vjet më parë, më 22 maj 1999, forcat serbe për disa ditë maltretuan fizikisht dhe psiqikisht të burgosurit, para se t’i ekzekutonin më shumë se 100 prej tyre. Si të mbijetuar të masakrës së Dubravës, jemi burim i kujtesës kolektive, që gjeneratat e ardhshme ta kuptojnë e shpjegojnë ashtu siç ishte: krim kundër njerëzimit dhe akt gjenocidal", theksoi ministri Aliu.