Shenja krize në industrinë e mallrave luksoze, sa brende do të zhduken në 5 vjet
Lexohet për: 4 min.
3t32t32
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Edhe pse industria e mallrave luksoze ka mbetur imune ndaj tendencave dhe problemeve aktuale si pandemia e virusit korona, lufta në Ukrainë dhe inflacioni, ky segment i industrisë së fundmi është ndjekur nga shifra shqetësuese.

Në fakt, edhe pse disa brende luksoze filluan të publikonin rezultatet për tremujorin e tretë të 2023, analistët ishin të shpejtë për të parashikuar një krizë për tregun e luksit, pasi numrat e parë dukeshin mjaft zhgënjyes.

Ndërsa brendet e luksit “më të qeta” Arma, Brunello Cucinelli dhe Zenja shënuan rezultate të mira financiare dhe kërkesë të fortë në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, markat e tjera si Gucci “dështuan”. Dhe parashikimet e reja, të publikuara së fundmi nuk janë gjithashtu aq optimiste.

Një studim nga firma konsulente Bain zbuloi se rritja e shitjeve të çantave, këpucëve dhe veshjeve luksoze në nivel global pritet të ngecë këtë vit për shkak të krizës së krijimtarisë dhe rritjes së çmimeve pasi brendet po fokusohen te klientët super të pasur.

Bain parashikon stagnim në shitjen e mallrave luksoze në botë në vitin 2024 pas një rënie të lehtë në tremujorin e parë. Në një studim të publikuar muajin e kaluar, ata deklarojnë se për këtë kontribuojnë pasiguria politike për shkak të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, si dhe pasiguria ekonomike në Kinë.

Krahas faktorëve socio-ekonomikë dhe tensioneve gjeopolitike në rritje, ky ngadalësim është shkaktuar pjesërisht nga një krizë e krijimtarisë në sektor, sipas analizës.

Vitin e kaluar, shitjet e mallrave të luksit personal u rritën me gati katër për qind, nga 349 në 362 miliardë euro, kryesisht për shkak të ringjalljes së turizmit amerikan dhe aziatik në Evropë, i cili stimuloi blerjet.

Shitjet në rënie në Azi

Sipas informacioneve të raportuara nga mediat e huaja, Burberry, Hugo Boss, Swatch Group dhe Richemont Kering, LVMH dhe Hermes po luftojnë me rënien e shitjeve në Azi.

Burberry dhe Hugo Boss shënuan rënie të aksioneve prej 7.5 deri në 16 për qind, si dhe një rënie të fitimit operativ prej rreth 40 për qind krahasuar me një vit më parë. Ata u përballën me një rënie të ndjeshme të shitjeve në Azi, por edhe në Amerikë.

Në fillim të këtij viti, media njoftoi një rënie prej 14 për qind të aksioneve të grupit luksoz francez Kering dhe kompania paralajmëroi se shitjet e Gucci në tremujorin e parë do të bien me 20 për qind në bazë vjetore.

Në atë kohë, u njoftua se ngadalësimi pritej të fillonte kryesisht nga Azia - kryesisht nga Kina, ekonomia e së cilës po lufton me krizën.

Sektori i luksit është mbështetur shumë te Kina, e cila ishte përgjegjëse për gati 16 për qind të shpenzimeve globale të luksit vitin e kaluar. Shpenzimet për mallra luksoze në atë treg u dyfishuan nga viti 2008 në 2014.

Në fund të vitit të kaluar, mediat e huaja njoftuan se tregu i modës luksoze mund të ndikohet negativisht nga inflacioni dhe ndryshimet në preferencat e konsumatorëve.

Më pak fuqi blerëse

Për sa i përket ndikimit të inflacionit, media raporton opinionin e ekspertit të strategjisë së brendeve luksoze Daniel Langer, i cili shprehet se klientët tani kanë më pak fuqi blerëse.

“Inflacioni ul fuqinë blerëse të konsumatorëve. Kjo do të thotë se ata mund të blejnë më pak gjëra me një shumë të caktuar parash sesa kur inflacioni është i ulët. Një nga rezultatet e kësaj është se konsumatorët do të blejnë produkte luksoze më rrallë”, paralajmëroi Langer.

Për shembull, ata që blejnë rroba luksoze çdo muaj, tani do t'i blejnë ato çdo dy ose tre muaj, shpjegoi ai për Jing Daily.

Analistët parashikojnë se deri në 50 për qind e brendeve të sotme luksoze do të zhduken deri në vitin 2030 si reflektim i përfaqësimit të dobët të brendit dhe se e ardhmja u përket atyre që mund të artikulojnë një histori bindëse, të lidhen thellë me konsumatorët dhe të krijojnë vlera të jashtëzakonshme – duke transformuar mënyrën se si konsumatorët e perceptojnë veten dhe botën përreth tyre.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024