Në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Oral, Ministria e Shëndetësisë ka rikujtuar rëndësinë e kujdesit për shëndetin e gojës dhe ndikimin e tij në shëndetin e përgjithshëm të organizmit.
Sipas Ministrisë, shëndeti oral është pjesë e pandashme e mirëqenies së përgjithshme dhe lidhet ngushtë me sëmundje të ndryshme kronike, përfshirë ato kardiovaskulare dhe diabetin. Kujdesi i rregullt për dhëmbët dhe mishrat e dhëmbëve ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës.
Po ashtu, qytetarëve u është bërë thirrje që të lajnë dhëmbët të paktën dy herë në ditë, të përdorin fijet dentare, të kufizojnë konsumimin e sheqerit dhe të vizitojnë rregullisht dentistin.
Ministria ka theksuar se kujdesi për shëndetin oral sot është një investim për një të ardhme më të shëndetshme.