Shëndetësia në regres, pacientët me sytë nga privati
Lexohet për: 8 min.
QKUK - Hyrja (2 of 2)
1 vit më parë
Linku u kopjua

Mungesat e shumta në furnizime, qoftë me barna esenciale, qoftë me material shpenzues, pritjet e gjata të pacientëve për të kryer ndërhyrje kirurgjike, ikjet e profesionistëve shëndetësorë e vështirësitë për qasje në shërbime të tjera shëndetësore kanë bërë që viti 2022 të konsiderohet si vit ku shëndetësia kosovare shënoi regres.

Në aspektin legjislativ ndonëse ishte paraparë Ligji për shëndetësinë, ai për rregullimin e çmimit të barnave e shumë ligje të tjera, përsëri asnjëra nuk arriti tek duart e ligjvënësve.

Ky sektor i cili po vlerësohet nga opozita si i degraduar dhe buzë kolapsit në tre muajt e fundit të vitit 2022 u menaxhua me ushtrues detyre, pas dorëheqjes së Rifat Latifit nga pozita e ministrit të Shëndetësisë. Por, në javën e fundit të vitit 2022 në krye të këtij dikasteri është riemëruar, Arben Vitia.

Por, me ushtrues detyre të drejtorit vazhdojnë të jenë edhe pozita të tjera relevante në shëndetësi si ShSKUK, Fondi për Sigurime Shëndetësore e Inspektorati shëndetësor.

Nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë po konsiderojnë se në vitin që lamë pas numri i sëmundjeve të pacientëve në vend është rritur, derisa shërbimet shëndetësore janë përkeqësuar.

Kryetari i PRAK-ut, Besim Kodra e vlerëson vitin 2022 si vit të regresit për shëndetësinë.

“Aktualisht çka kemi vërejtur kanë qenë probleme në qasje në shërbime shëndetësore, burokracia shumë e madhe, lista të gjata të pritjes, mungesat e barnave të cilat në shumicën e rasteve e bëjnë që pacientët të bojkotojnë sistemin shëndetësor publik dhe të kalojnë në atë privat edhe pse ky luks nuk mund t’u jepet të gjithë pacientëve sepse këtu goditen shtresat e varfëria të shoqërisë... Realisht shëndetësia ka një regres përveç që nuk po implementohen ligjet, ashtu siç ka qenë e paraparë me reforma, ka njëfarë regresi, njerëzit vazhdimisht e kanë problemin për t’u qasur, nevojat e komunitetit për shërbime shëndetësore vetëm po rriten, nuk ka një shëndetësi preventive e cila iu ndihmon njerëzve t’i parandoljnë sëmundjet, por kemi krejt një qasje represive që vetëm i trajtojmë ato kur ndodhin dhe kostoja e trajtimeve mandej gjithmonë po shkon në rritje, sëmundshmëria e pacientëve po rritet, shëndeti publik vetëm se po keqësohet”, thotë Kodra.

Sipas Kodrës, në vitin 2022 për shkak të pakënaqësive dhe mungesave të shumta, pacientët janë detyruar ta bojkotojnë sistemin publik mjekësor.

“Nëse e marrim në kujdesin primar dalin që janë rreth 1 milionë vizita më pak krahasuar me vitin e kaluar ku ishin 4 milionë, janë 1 milionë më pak nëse e shikojmë në QKUK dhe spitalet e përgjithshme ka rënë numri i vizitave sepse njerëzit tash po e bojkotojnë sistemin dhe gjithashtu edhe janë duke ikur jashtë vendit për shkak të rrethanave të ndryshme, por edhe për shkak të sigurimeve shëndetësore sepse nuk po kanë siguri në to” , shprehet ai.

Edhe eksperti i politikave shëndetësore, Ilir Hoxha thekson se shëndetësia kosovare edhe përgjatë 2022-shit ishte pa vizion të qartë.

Sipas tij, janë ndërmarrë disa hapa përparimtar, por që mbrojtja nga barra financiare e pacientëve, përmirësimi dhe rritja e shërbimeve shëndetësore vazhdojnë të mbesin sfidë.

“I ke dy probleme në shëndetësi edhe çdo zgjidhje është dashur të lidhen me ato të dyja. Një është barra financiare që vjen nga kujdesi shëndetësor dhe e dyta është qasja në shërbime shëndetësore, këto dy probleme i ka Kosova, këto të dyja është duke dështuar prej domeneve shëndetësore apo të kujdesit shëndetësor, edhe çdo lëvizje në këto dy drejtime të zvogëlojë barrën financiare në shëndetësi edhe të përmirësojë edhe mundësinë e qasjes në shërbime shëndetësore, është rruga që duhet ndjekur përpara... Problemi i shëndetësisë është përfshirë edhe me qeverinë aktuale se ndoshta nuk ka një vizion të qartë qysh po e duam shëndetësinë, pas 5 ose 10 viteve kjo nuk është e qartë... Modele ka gjithandej vetëm duhet që ajo energji politike, e jo improvizime, të çojnë vendin përpara drejt një sistemi shëndetësor, përndryshe arnimet ditore nuk do të sjellin ndonjë rezultat”, shprehet Hoxha.

Se gjendja në shëndetësinë e vendit nuk ka shënuar progres e thonë edhe nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK). Pleurat Sejdiu, kryetar, shprehet se zinxhiri menaxhues në këtë sistem përsëri ka dështuar.

Sejdiu thekon se përgjatë vitit 2022 ka pasur pakënaqësi të mëdha qoftë te profesionistët shëndetësorë, por edhe tek vetë pacientët.

Sipas tij, ndonëse kishin pritshmëri shumë të mëdha nga ish-ministri Latifi përsëri pati dështime dhe ngecje.

“Të gjitha qeveritë po rrisin buxhet, por ai buxhet nuk po transformohet në përmirësim të ndjeshëm, prandaj sistemi i menaxhimit i gjithë zinxhirit ka dështuar edhe këtë vit, edhe vitin e kaluar, edhe para 3 vitesh, nuk ka një zinxhir koordinues i cili do t’i koordinonte aktivitetet ku ai 1 euro që jepet nga qeveria shtesë nuk hetohet... Kemi menduar se shumë transformime do të ndodhin në shëndetësi përmes plotësim-ndryshimit të Ligjit të Shëndetësisë dhe strukturat e të gjitha ata që merren me politika shëndetësore i kanë pas si bllokadë në transformime, prapë ekzistojnë dhe zinxhirët siç është çështja e Sistemi Informativ Shëndetësor që është kyç e që nuk ka ecur, nuk kemi ende protokollet klinike që e kanë një bazë për punë më efektive dhe më kualitative, nuk janë askund, dhe krejt kjo shkon tek një përgjegjës të cilët janë të thirrur për implementimin e ligjeve”, u shpreh ai.

Kritika për degradim të sistemit shëndetësor publik ka ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili thotw se për shëndetësinë kosovare ka munguar plani dhe përkrahja politike.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), konsideron se gjatë vitit të kaluar sektori shëndetësor është lënë në duart e fatit, ndërsa shton se nuk është arritur të përmbushet as agjenda legjislative për këtë sektor.

“Nuk ka pas fare menaxhim dhe ka qenë në mëshirën e fatit dhe të gjithë profesionistëve shëndetësorë, por jo edhe në përkujdesjen politike dhe ekzekutive, pa plan, pa vizion, pa menaxhim adekuat, keqmenaxhim në kuptimin e plotë të fjalës dhe pa asnjë interferim pozitiv nga Qeveria e Kuvendi... Është vit degradues dhe sistemi i shëndetësor është para kolapsit në kuptimin e skandaleve dhe të gjithë asaj që po ndodh në Kosovë... Një qeveri e cila në agjendën legjislative gjatë gjithë vitit nuk ka arritur të sjellë së paku një ligj përmbajtjesor në sektorin e shëndetësisë, jemi mashtruar me Ligjin për Shëndetësi që do të vijë, është thënë shtatori data kur do të vijë, viti kaloi, është refuzuar ligji nga opozita”, shprehet deputeti Zemaj.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësisë thotë se mungesat e shumta në furnizimet esenciale e kanë rënduar edhe më shumë gjendjen e pacientëve qoftë në aspektin shëndetësor, por edhe financiar.

“Me këtë qeveri dhe me këtë gjendje çfarë është qytetarët janë përballur me dhimbjen më të madhe sepse mungojnë gjërat elementare edhe penjtë kanë munguar, edhe fashat e uji i destiluar, gjithçka ka munguar, që është bazike që mjeku, infermieri të ushtrojë punën e tij dhe së paku t’i dal në ndihmë pacientit, qytetarët janë detyruar që këto gjatë gjithë vitit me mungesa, me mungesa të mëdha, e mungesë të furnizimit edhe të blejnë po ashtu në këtë krizë”, thekson ai.

Në shtator, me propozim të kryeministrit Albin Kurti u themelua edhe Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi, mirëpo edhe ky komision u vlerësua si joproduktiv.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024