Shefi i Shtabit të Mbrojtjes të Britanisë, admirali Tony Radakin, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të qëndrojë i bashkuar, kundër asaj që ai e quajti retorikë “thellësisht të papërgjegjshme” të presidentit rus, Vladimir Putin, sa i përket kërcënimeve për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.
“Atij (Putinit) i kanë mbetur pak opsione. Prandaj po përdor retorikë bërthamore”, tha ai gjatë një fjalimi.
Ministri i Mbrojtjes së Britanisë, Ben Wallace, u takua gjatë kësaj jave me homologun e tij amerikan për të diskutuar për shqetësimet e sigurisë lidhur me situatën në Ukrainë, që po përballet me pushtimin rus që nga 24 shkurti.
I pyetur nga gazetarët se sa ka gjasa që Putin po përgatitet të kryejë sulme bërthamore në Ukrainë, Radakin refuzoi që t’i përgjigjej drejtpërdrejt kësaj pyetjeje.
“Diktatorët zakonisht frymëzohen nga diktatorët e tjerë”, tha Jakup Kalensky, i cili mendon se rehabilitimi i figurës së Josef Stalinit gjatë udhëheqjes së Putinit, tregon se udhëheqësi rus justifikon krimet e së kaluarës me qëllim që të kryejë krime të reja.
Britania, së bashku me shtetet e tjera perëndimore po i dërgojnë armë dhe ndihmë tjetër Ukrainës, teksa kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës ndaj Ukrainës.
Rajoni i Luhanskut, Donjeckut, Hersonit dhe Zaporizhjës – që Moska thotë se i ka aneksuar – janë të pushtuara pjesërisht nga forcat ruse./REL