Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se ka sanksionuar tre zyrtarë, që sipas tij, kanë kontribuar në përpjekjet e presidentit të entitetit të Republikës Serbe, Millorad Dodik, për të minuar paqen dhe stabilitetin në Bosnje e Hercegovinë, duke organizuar dhe mbajtur “Ditën e Republikës Serbe” më 9 janar.
Kjo ditë konsiderohet jo kushtetuese në Bosnje e Hercegovinë. Sipas Thesarit amerikan, tre individët e sanksionuar kanë ndihmuar përpjekjet e Dodikut për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.“Ne do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës të gjithë ata që synojnë të ndjellin përçarje për të arritur qëllimet e tyre politike në kurriz të popullit të Bosnje Hercegovinës”, shtoi ai.
Tre personat e sanksionuar janë: Branisllav Okuka, Jellena Pajiq Bastinac dhe Srebrenka Golliq.Përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, kishte deklaruar se shënimi i 9 janarit përfaqësonte “një dështim të qartë dhe të drejtpërdrejtë të zbatimit të vendimeve përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës”. Sipas tij, një shkelje e tillë përbën vepër penale sipas Kodit Penal të shtetit.
Dodik personalisht kishte drejtuar një komitet organizativ për festimet për “Ditën e Republikës Serbe” në entitetin serb të Bosnjës.
SHBA tha se këto sanksione janë në përgjigje edhe të incidenteve të mëhershme, ku këta zyrtarë ishin përfshirë në aktivitete “që minonin stabilitetin rajonal.
Sanksionet parashohim bllokimin e të gjitha pronave dhe interesave që këta persona mund të kenë në SHBA.
Edhe më herët SHBA-ja ka sanksionuar zyrtarë të ndryshëm të entitetit të Republikës Serbe për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Më 5 janar 2022, Dodik u sanksionua nga SHBA pasi u tha se ishte përgjegjës dhe ishte përfshirë në kërcënim të zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit, por edhe për përfshirje në aktivitete korruptive.