SHBA sanksionon Rusinë dhe Iranin
Shtetet e Bashkuara njoftuan sot sanksione kundër Shërbimit Federal të Sigurisë të Federatës Ruse (FSB) dhe Gardës Revolucionare të Iranit, duke i akuzuar ata për arrestimin e paligjshëm të amerikanëve.
Lista e sanksioneve të reja përfshin katër komandantë të lartë të shërbimit të inteligjencës së Gardës Revolucionare, por të paktën njëri prej tyre tashmë ishte sanksionuar. FSB e Rusisë është gjithashtu subjekt i sanksioneve të mëparshme të Shteteve të Bashkuara.
Zyrtarët e lartë të administratës së Biden, thanë në kushte anonimiteti se sanksionet e reja synojnë të nënvizojnë pasojat për ata që përpiqen të përfitojnë nga ndalimi i paligjshëm i qytetarëve amerikanë për të ushtruar presion politik ose për të kërkuar lëshime nga Uashingtoni, shkruan Alsat.
Nuk janë të paktë të burgosurit amerikanë në burgjet e Rusisë dhe Iranit, dy vende që kanë acaruar marrëdhëniet me ShBA-të.
Muajin e kaluar, FSB ruse arrestoi reporterin amerikan të Wall Street Journal, Evan Gershkovich me dyshimin për spiunazh.
Ish-marinsi amerikan Paul Whelan, i cili po vuan dënimin me 16 vjet burg në Rusi, është shpallur fajtor për spiunazh.