ShBA, rikthehen fluturimet në aeroporte pas problemeve kompjuterike
Lexohet për: 5 min.
auto_unnamed1557727298
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kompanitë amerikane rifilluan fluturimet pas një vendimi të Administratës Federale të Aviacionit (FAA) për ndalimin e tyre për shkak të problemeve kompjuterike. Kjo e fundit u përpoq të rregullonte një problem në sistem gjatë natës, i cili çoi në ndalimin e të gjitha fluturimeve që niseshin nga SHBA.

Shkaku i problemit, mbetet i paqartë, por zyrtarët amerikanë thanë se deri më tani nuk kishin gjetur asnjë provë për një sulm kibernetik.

“Operacionet normale të trafikut ajror po rifillojnë gradualisht në të gjithë SHBA-në pas një ndërprerjeje gjatë natës në sistemin “Notice to Air Missions” që i ofron ekuipazhit informacione që lidhen me sigurinë e fluturimit. Ndalesa është hequr. Ne vazhdojmë të shqyrtojmë shkakun e problemit”, shkruante FAA-ja në një postim në “Twitter”.

Më shumë se 4,300 fluturime u shtynë dhe 700 të tjera u anuluan pasi zyrtarët thanë se do të duhen orë të tëra për të rikuperuar nga ndalimi i fluturimeve.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) kishte urdhëruar më herët linjat ajrore të ndalonin të gjitha fluturimet që niseshin brenda territorit amerikan pas dështimit të sistemit të alarmit të pilotit. Agjencia punoi deri në orën 2 të mëngjesit për ta bërë sistemin sërish funksional, thanë zyrtarët.

Sipas informacioneve zyrtare, pak para orës 8:30 të mëngjesit me orën lokale, rifilluan fluturimet në aeroportet e “Newarkut” në Nju Xhersi dhe nga aeroporti i Atlantas në shtetin e Xhorxhias.

Presidenti amerikan Joe Biden ka urdhëruar Departamentin e Transportit të hetojë mbi çështjen. I pyetur nëse bëhej fjalë për një sulm kibernetik zoti Biden u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se: “Nuk e dimë”.

Sekretari amerikan i Transportit Pete Buttigieg tha se do të shyrtohen me rrënjë arsyet e problemeve në sistemin kompjuterik të aeroporteve si dhe do të bëhen rekomandime për hapat e ardhshëm.

Një nga agjencitë amerikane të fluturimeve “United” tha se ka rifilluar operacionet. Kompania me seli në Çikago, megjithatë, paralajmëroi se klientët mund të vazhdojnë të përballen me vonesa dhe anulime.

“Rrjeti i transportit të Amerikës ka një nevojë të dëshpëruar për përmirësime të thella. U bëjmë thirrje zyrtarëve federalë të modernizojnë infrastrukturën tonë jetike të udhëtimit ajror”, tha Geoff Freeman, President dhe Shef Ekzekutiv i Shoqatës së Udhëtimit të SHBA-së, një grup që përfaqëson linjat ajrore amerikane, hotelet, kompanitë e makinave me qira dhe parqet argëtuese.

Ky problem ndodhi disa javë pasi kompania tjetër amerikane, “Southwest” anuloi një mori fluturimesh në fund të vitit të kaluar duke bllokuar me mijëra pasagjerë në aeroporte amerikane.

Një stuhi e fortë dimërore pak para Krishtlindjeve, shoqëruar me teknologjinë e vjetër të avionëve të kompanisë me seli në Teksas, çuan në anulimin e mbi 16,000 fluturimesh, muajin e kaluar.

DOT, agjencia mëmë e FAA-së, kritikoi ashpër “Southwestin” dhe i bëri presion asaj që të kompensonte pasagjerët për fluturimet e humbura dhe kostot e tjera të lidhura me problemin. Nuk ka asnjë kërkesë ligjore që FAA duhet të kompensojë pasagjerët për vonesat e fluturimeve të shkaktuara nga problemet kompjuterike të agjencisë.

‘NOTAM’ është një njoftim që përmban informacion thelbësor për personelin që ka të bëjë me operacionet e fluturimit.

Informacioni mund të përmbajë deri në 200 faqe për fluturimet ndërkombëtare me distanca të gjata dhe mund të përfshijë artikuj të tillë si mbylljet e pistës, paralajmërimet për rrezikun nga shpendët dhe pengesat e ndërtimit.

“United Airlines” tha se kishte vonuar përkohësisht të gjitha fluturimet brenda SHBA-së dhe se do të publikonte një informacion kur të mësonte më shumë për problemin nga FAA.

Agjencia gjermane e fluturimeve “Lufthansa” dhe “Air France” thanë se po vazhdonin të kryenin fluturime drejt dhe nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa linja ajrore franceze tha se po monitoronte situatën.

Operatori i aeroporteve ndërkombëtare të Parisit, aeroporti “Charles de Gaulle” dhe aeroporti “Orly”, tha se pret vonesa në fluturime.

Në një njoftim në faqen e saj të internetit, FAA tha se sistemi i saj ‘NOTAM’ kishte “dështuar”, megjithëse ‘NOTAM-et’ e lëshuara përpara ndërprerjes ishin ende aty.

Një total prej 21,464 fluturimesh janë planifikuar të nisen nga aeroportet në Shtetet e Bashkuara të mërkurën me një kapacitet mbajtës prej afro 2.9 milionë pasagjerësh, tregojnë të dhënat nga organizata “Cirium” që analizon të dhënat rreth fluturimeve në SHBA.

“American Airlines” ka më shumë nisje nga aeroportet e SHBA-së me 4,819 fluturime të planifikuara, e ndjekur nga “Delta” dhe “Southwest”, treguan të dhënat e “Cirium”./VOA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024