Departamenti amerikan i Shtetit tha të martën se të gjithë personat e përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e sulmit në fshati Banjskë në veri të Kosovës me 24 shtator të vitit 2023, duhet të vihen para drejtësisë.
“Ne ritheksojmë pritshmërinë tonë që Serbia të luajë rolin e saj për të siguruar përgjegjësi të plotë për autorët e sulmit pa vonesa të mëtejshme”, tha në një përgjigje për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, një zëdhënës i DASH-it.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë trysni ndaj Beogradit që të dorëzojë personat e armatosur, që u tërhoqën në Serbi pas një përleshjeje 12 orëshe me policinë një vit më parë.
Përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e grupit e mori përsipër Milan Radoiçiç, një politikan lokal serb i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe me lidhje të fuqishme me Beogradin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Në dhjetor të vitit 2023 emri i tij është vënë në një urdhër arresti të Policisë Ndërkombëtare, INTERPOL.
Në tetor të vitit 2023, Milan Radoiçiç u lirua nga paraburgimi në Beograd pas më pak se një dite dhe gjatë seancës dëgjimore në prokurori ai pranoi organizimin e sulmit, duke pretenduar në të njëjtën kohë se nuk besonte se kishte kryer një krim.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i tha Zërit të Amerikës, se hetimet kundër Milan Radoiçiçit janë duke vazhduar.
Hetimi i plotë i sulmit në fshatin Banjskë dhe bashkëpunimi i Serbisë për vënien e autorëve para drejtësisë janë kërkesë e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
“Nuk më duket se komuniteti ndërkombëtar është veçanërisht i përfshirë, apo i papërfshirë në këtë rast. Ai duket se po e trajton si një tjetër nga çështjet e shumta të hapura mes Kosovës dhe Serbisë: ngjashëm me bllokimin e importeve të mallrave nga Serbia, çështjen e targave e tema të tjera. Megjithatë, besoj se duhet një qasje më serioze ndaj vdekjes së qenieve njerëzore - policit dhe tre sulmuesve. Por, nuk duket se komuniteti ndërkombëtar i qaset këtij rasti ndryshe në krahasim me incidentet e tjera”, tha për Zërin e Amerikës, Michael Kirby, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Serbi.
“Ne i trajtojmë shumë seriozisht ngjarjet dhe sulmet e vitit të kaluar ndaj trupave të NATO-s. Ato janë të papranueshme”, thuhet në një përgjigje të një zyrtari të NATO-s për Zërin e Amerikës.
Përveç sulmit të armatosur të serbëve ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në fund të muajit maj të vitit të kaluar në një përleshje ndërmjet serbëve dhe ushtarëve të KFOR-it, më shumë se 90 ushtarë të NATO-s mbetën të plagosur.
Ngjarja padyshim ndikoi edhe në procesin e negociatave Kosovë – Serbi që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve, që lidhen me përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.
“Nuk ka pasur përparim në proces as para një viti. Dhe, që atëherë, ai nuk ka lëvizur fare. Palët fajësojnë njëra-tjetrën dhe kanë pjesërisht të drejtë për ta bërë këtë. Nuk ka vullnet politik tani për tani dhe nuk më duket se ka shumë mundësi që të ketë në një të ardhme të afërt”, tha zoti Erath, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare./VOA