Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të marrin seriozisht obligimet e tyre që dalin nga Marrëveshja për normalizimin e raporteve.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha për Radion Evropa e Lirë se në mesin e obligimeve përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, më 14 shtator do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.
Nga ambasada thanë se SHBA-ja vazhdon “ta mbështesë fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si një mënyrë për të arritur raporte paqësore dhe produktive mes Kosovës dhe Serbisë”.
Këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia e arritën në shkurt në Bruksel, ndërkaq në mars në Ohër u pajtuan për aneksin e zbatimit të saj.
Marrëveshja prej 11 nenesh nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
“Angazhimi konstruktiv dhe përpjekjet në mirëbesim nga Kosova dhe Serbia do të sjellin përfitime të qëndrueshme për qytetarët, përfshirë rritjen ekonomike dhe do të sigurojnë stabilitet afatgjatë rajonal”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane.
Disa ditë para takimit të Brukselit, Kurti bisedoi me të dërguarin e e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocobar, “për rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.