Ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara në Beograd, e kanë kritikuar, veç e veç, pjesëmarrjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandër Vulin, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.
Ambasada e Ukrainës, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë se, Serbia dhe Ukraina synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, dhe se, në këtë kontekst, Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se, “askush nuk duhet t’i japë legjitimitet veprimit rus, duke bashkëpunuar me Kremlinin, sikur gjithçka është në rregull”.
“Agresioni i Rusisë kundër fqinjit të saj paqësor, Ukrainës, është i paligjshëm dhe i paarsyeshëm. Vladimir Putin filloi këtë luftë brutale. Ai mund, dhe duhet t’i japë fund menjëherë, dhe të ndalojë vdekjen dhe shkatërrimin që po shkakton lufta e tij”, ka thënë mes tjerash Hill.
Informacioni zyrtar për pjesëmarrjen e tij në Konferencën në Moskë, nuk është publikuar në faqet e internetit të institucioneve zyrtare në Serbi.
As Qeveria e Serbisë, nuk është përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me këtë çështje.
Pyetjes së REL-it, lidhur me këtë çështje, nuk i janë përgjigjur as BIA dhe as Lëvizja Socialiste, në krye të së cilës është Vulin, e cila është edhe pjesë e koalicionit qeverisës me Partinë Progresive Serbe (SNS).
Vulin është një nga zyrtarët e paktë evropianë që ka vazhduar vizitat te zyrtarët rusë në Kremlin, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
Daçiq e ka mohuar më pas këtë informacion.
Ai ka thënë se nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në atë konferencë, dhe për këtë arsye as që ka planifikuar udhëtim në Rusi.
Në hapjen e Konferencës, e cila zyrtarisht quhet Takimi i 11-të Ndërkombëtar i Përfaqësuesve të Lartë për Çështjet e Sigurisë, ka folur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Siç kanë raportuar mediat shtetërore ruse, Putin ka paralajmëruar forcimin e lidhjeve me vendet mike.