Prapë më duhet të shkruaj për “Serbinë Tjetër” që me këmbëngulje vazhdon të financohet nga “Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur” – KFOS, që këmbëngul në promovimin e “Serbisë tjetër” që nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar asnjëherë për shqiptarët.
Gjersa “Serbia tjetër 1” kishte për kryepersonazh intelektualin e njohur, ish kryebashkiakun e Beogradit, arkitektin Bogdan Bogdanoviq, libri që doli para pak ditësh “Serbia Tjetër 2” ka për kryepersonazh politikanin serb Millosh Miniq, ish kryetar të Serbisë (1957-62) dhe ministër i punëve të jashtme të Jugosllavisë (1972-78).
Ndërsa Millosh Miniqi nuk i takon fare këtij klubi, madje lirisht mund të thuhet se nuk i takon fare as Serbisë, por Jugosllavisë komuniste, sikur pasues besnik i Titos, të cilit i mbeti besnik në të gjitha situatat: në raportin mes çetnikëve serb dhe partizanëve serb gjatë LDB (madje ishte prokuror në procesin gjyqësor kundër Drazha Mihajlloviqit), gjatë krizës së Informbyrosë me Stalinin, në Plenumin e Brioneve ku u dënua Aeksandër Rankoviqi, gjatë demonstratave të vitit 1968 dhe lëvizjes serbe për liberalizim në vitin 1972 me Llatinka Peroviqin. Gjatë viteve ’90 asnjëherë nuk u prononcua publikisht, gjer në vitin 1999, por pasi Serbia i humbi të gjitha luftërat.
Ky “rrënim kualitativ” nga Bogdanoviqi te Miniqi dhe paralajmërimi se as libri i tretë nuk do ta ketë për personazh dike nga “klubi beogradas”, nuk do më befasonte nëse libri “Serbia Tjetër 10” do ta ketë për personazh Sheshelin apo Millosheviqin?