Serbia ka formuar grupin punues që do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës. Grupi punues u formua me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë seancës të mbajtur sot në Qeverinë serbe. “Ky grup punues ka mbajtur mbledhjen e parë”, njoftoi Qeveria serbe, sipas së cilës grupi punues udhëhiqet nga Ivica Daçiq, shefi i diplomacisë serbe, së bashku me shefin e të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq. Anëtarë do të jenë ministrja për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviq, dhe ministri i Tregtisë, Tomisllav Momiroviq. Formimin e këtij grupi e kishte paralajmëruar Vuçiq një ditë më parë duke kërkuar nga institucionet shtetërore të bashkojnë forcat për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sot nuk ka dashur të komentojë nëse veprime të tilla të Serbisë përbëjnë shkelje të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve të arritur një vit më parë. “Nuk dua të hyj në komente të asaj se çfarë është thënë se çfarë dëshiron të bëjë presidenti Vuçiq. Unë mund të përsëris se bazuar në pritjet e BE-së, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet pa vonesa të tjera të nisin të zbatojnë marrëveshjen për të cilën ishin pajtuar para më shumë se një viti në Ohër. Kjo është me rëndësi të madhe. Kur bëhet fjalë për Këshillin e Evropës, çështjet e anëtarësimit i takojnë Këshillit të Evropës”, tha Stano.