Serbët e veriut protestojnë kundër ndalimit të importit dhe konfiskimit të mallrave
Lexohet për: 2 min.
veriuu
1 vit më parë
Linku u kopjua

Rreth 100 qytetarë serbë të veriut, shumica afaristë, kanë protestuar sot në veri të Mitrovicës, kundër ndalimit të importit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe konfiskimit të tyre.

Ata kanë nisur po ashtu një peticion, përmes të cilit kërkojnë nga organet gjegjëse lejimin përsëri dhe pa pengesë të këtyre mallrave në Kosovë.

Dushan Gashiq, i cili foli në emër të protestuesve, ka thënë para gazetarëve se dëshirojnë që aksionet e tilla të sekuestrimit të mallrave serbe të ndërpriten dhe gjendja të kthehet sikur para muajit qershor, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për bllokadë ndaj mallrave me origjinë serbe në Kosovë.

Protesta ka zgjatur rreth një orë dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërsa në shenjë solidarizimi me protestën, të gjitha dyqanet në veri të Mitrovicës janë mbyllur nga ora 12:00 deri në 14:00.

Qeveria e Kosovës më 14 qershor ka ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”. Ky vendim ishte një përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, të cilët që atëherë janë liruar për t'u mbrojtur. Ndërkohë, lejohet hyrja e kamionëve me targa të Serbisë, por jo edhe qarkullimi i mallrave serbe.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në qershor të vitit 2022, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej afro 34 milionë eurosh.

Të dhënat e qershorit të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë rënie të importit të produkteve serbe, përkatësisht vlera e mallrave të importuara nga Serbia është rreth 13 milionë euro./A.Damati/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024