Selimi: S’kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ish-deputeti Rexhep Selimi ka deklaruar se nuk ka frikë nga drejtësia dhe pret që bashkë më të akuzuarit e tjerë në Hagë të kthehen të lirë në Kosovë. Para trupit gjykues edhe një herë u shpreh se nuk ka të bëjë asgjë me aktakuzën dhe se e njëjta nuk është e bazuar në fakte dhe argumente.

Në një deklaratë pa betim para trupit gjykues, Selimi deklaroi se luftën nuk do e zgjidhnin kurrë, por ishte domosdoshmëri për mbijetesën si komb e shoqëri.

Në seancën e sotme gjyqësore, ish-eprori i UÇK-së u shpreh se dallimet politike nuk duhet të përdorën si fakte juridike kundër tij dhe të akuzuarve të tjerë.

“Pas themelimit të kësaj gjykate, jo rrallëherë jam pyetur se ‘a kisha frikë nga drejtësia’. Gjithmonë kam thënë se sot e përsëris, unë nuk kam frikë nga drejtësia por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë”, u shpreh Selimi.

Selimi sërish është deklaruar se nuk ka të bëjë asgjë me krimet e pretenduara në akuzën e ngritur ndaj tij.

Derisa ka folur për vitet e ’90-ta dhe kohën sa ishte student, ai tregoi kur shqiptarët maltretoheshin nga Serbia dhe largoheshin nga puna. Ai përmendi edhe helmimet e nxënësve shqiptarë dhe opsionin që vendosi, duke lënë anash ëndrrat e rinisë.

“Lash ëndrrat e mia të rinisë, lash studimet e letërsisë dhe u bëra pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Në fjalën e tij para trupit gjykues, ai ka përmendur edhe rezistencën e familjes Jashari përgjatë tri ditëve të marsit dhe përpjekjet e bashkëluftëtarëve të tij për një ushtri të armatosur mirë.

“Mbetem luftëtarë pa komandant, krejt që mund të bënim ishim të ndiqnim rrugën e Adem Jasharit, të vdisnim duke luftuar apo të luftonim deri në fitore. Disa e bën të parën, ranë duke luftuar, e disa e bëmë të dytën, e mbijetuam luftën deri në përfundimin e saj. Në ato ditë të rënda për Kosovën vazhduam të rezistonim. Ashtu siç dinim, e ashtu siç mundnim. Donim të kishim edhe ne një ushtri të armatosur mirë, por nuk ia arritëm ta armatosnim sa duhej. Donim edhe ne ta kishim një ushtri të organizuar mirë, por nuk ia arritëm. Donim edhe ne ta mundnim Serbinë, por nuk ia arritëm këtë pa ndihmën e shteteve nga jashtë. Ne nuk kishim kazerma, por kishim shtëpitë e familjeve tona dhe familjeve të tjera, të cilat na strehonin dhe na mbanin”, tha ai.

Selimi përmendi masakrat e kryera në Kosovë, ku deklaroi se që askush nuk është ndëshkuar.


“Ne luftën nuk do të zgjidhnim kurrë, as si profesion e as si pasion. Por, ajo ishte domosdoshmëri për mbijetesën si komb e si shoqëri. E ndërkohë dhuna agresive dhe shtypja vazhdonte kundër popullatës shqiptare në Kosovë. Serbia kreu qindra masakra, ku të gjithë e dinë vrau mbi 12 mijë shqiptarë pa kursyer gratë e fëmijët, pleqtë e të sëmurët. Përveç vrasjeve, forcat serbe dhunuan mijëra gra e vajza të pambrojtura shqiptare”, ka shtuar ai.

Pas fjalimit të ish-deputetit, Rexhep Selimit, mbrojtja e tij ka filluar të paraqesë deklaratën hyrëse. Fjalimin e Selimit e ka ndjekur edhe bashkëshortja e tij, Shqipe Selimi, nga galeria për publikun në Dhomat e Specializuara.

Si e vlerësoni punën e Arbërie Nagavci në krye të Ministrisë së Arsimit?
Shumë të mirë
Mirë
Dobët
Shumë të dobët
Voto
154
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024