Si do të shkruhet aktgjykimi në një proces gjyqësor pothuajse tërësisht të mbyllur?
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të 11-të në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili ka dëshmuar tërësisht në seancë private. Kryegjykatësi Charles Smith ka tërhequr vërejtjen për seanca të shumta që po mbahen private si dhe për redaktimet e tepërta. Ndërsa mbrojtësit e Thaçit dhe Veselit kanë kërkuar vlerësim të masave mbrojtëse për dëshmitarët e mbrojtur të prokurorisë.

Në një konferencë për ecurinë e çështjes, trupi gjykues ka pyetur Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) si do të shkruhet aktgjykimi, marrë parasysh redaktimet e tepërta.

"Ndonjëherë redaktimet janë të tepërta, ka fjali që janë shumë të vështira t’i lexojmë”, ka thënë Smith.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ka sugjeruar që të rishikohen të gjitha masat mbrojtëse për dëshmitarët e mbrojtur të ZPS-së.

“A nuk duhet të rishikohet edhe një herë statusi i të gjithë këtyre dëshmitarëve të mbrojtur, për të parë nëse është e nevojshme për të pasur këtë status apo jo. Për shembull, nëse një dëshmitar nuk jeton më në Kosovë, a nuk do ishte me vend që të rishqyrtohet edhe një herë nëse ka nevojë apo jo për mbrojtje personale ky person", ka thënë ai.

Ndërsa, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka theksuar se nuk ka pasur kërcënime ndaj dëshmitarëve.

Ai ka shtuar se duhet të rivlerësohet pozicioni i dëshmitarëve dhe të mendohet që të identifikohen vetëm ata persona që kanë nevojë për masa mbrojtëse.

Sipas tij, po bëhet gjykim sekret ku 50% e dëshmitarëve janë të fshehtë.

"Si të shkruani një aktgjykim në fund fare, mbështetur në një proces gjyqësor që është pothuajse i tëri në seancë të mbyllur?”, ka thënë Emmerson.

Një pyetje të tillë ka bërë për ZPS-në edhe gjykatësi Metro.

“Si e imagjinoni që trupi gjykues të jetë në gjendje të shkruajë një aktgjykim të kuptueshëm, gjithëpërfshirës publik në qoftë se do të ndjekim mënyrën se si interpretoni ju detyrimet për redaktime, siç u theksua nga zotëri Emmerson", ka thënë ai.

Nga ZPS kanë thënë se masat mbrojtëse janë urdhëruar në mënyrë individuale, të justifikuara sipas kritereve për personat përkatës.

Seanca e paraparë për nesër është anuluar, ndërkaq gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë më 10 korrik.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024