Kombëtarja e Kosovës në hendboll është grumbulluar sot në prag të dy ndeshjeve me Finlandën.
Ndeshja e së enjtes në Vantaa dhe e së Dielës së ardhshme në Prishtinë u takojnë fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian të hendbollisteve.
Selektori i Kosovës, Agron Shabani, ka bërë të ditur se duhet pasur parasysh që garojnë për renditje në grup dhe kundërshtarët janë nivel i lartë.
“Është ndeshje me peshë të madhe, duke pasur parasysh që jemi konkurrentë direkt për renditje në grup. Franca e Kroacia janë nivel më i lartë, kështu që rastin e kërkojmë ndaj Finlandës” - ka thënë Shabani në fillim të grumbullimit.“Kundërshtari është i papërshtatshëm dhe me zhvillim të vazhdueshëm në vitet e fundit. Por, natyrisht, pres angazhim maksimal dhe paraqitje me motiv të lartë që nga fillimi” - ka theksuar selektori Agron Shabni.
Në Kombëtare do të kthehen Dafina Mustafa për të udhëhequr luftën në mbrojtje, e po ashtu edhe Yllka Shatrit që po tregon formë të mirë në Kroaci, si dhe Melisa Mulaj e cila do ta forcojë sulmin.
KosovaPress