Kosova dhe Serbia janë ende larg pajtimit për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes bazë dhe aneksit të tij. Nga Qeveria e Kosovës thonë se kanë dorëzuar komentet për propozimin e ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak për zbatimin e marrëveshjes, por theksojnë se pala serbe nuk është konstruktive për të ecur tutje në zbatimin e ujdisë së dakorduar. Në partinë në pushtet theksojnë se marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi dhe s’duhet të ketë diferencim për zbatimin e nenit shtatë, ku flitet për vetëmenaxhim. Në anën tjetër, nga Bashkimi Evropian nuk treguan për KosovaPress, se pas pranimit të komenteve të palëve si do të bëhet sekuencimi dhe metodologjia për zbatimin e marrëveshjes.
Nga zyra e zëvendëskryeministrit, njëherësh kryenegociatorit për dialog, Besnik Bislimi theksojnë se Qeveria ka dorëzuar komentet e veta për dokumentet e propozuara për zbatimin e marrëveshjes dhe se tani janë në pritje sa i përket takimit të radhës për diskutimin e tyre.Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi i bënë thirrje kryeministrit Kurti që të shkojë të raportojë në Kuvend për zbatimin e marrëveshjes bazë me Serbinë.
Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.
Para dy javësh, në Kosovë dhe Serbi ka qëndruar emisari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirsolav Lajçak, i cili ka dhënë propozime për zbatimin e marrëveshjes në tërësi, përfshirë atë për Asociacionin. Mirëpo, nga institucionet në Kosovë është përjashtuar mundësia e krijimit të një metodologjie të veçantë për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, pa pasur një plan të dakorduar për zbatimin në tërësi të Marrëveshjes së Brukselit.
Ndërkohë, nuk dihet nëse zhvillimet e fundit në veri dhe mundësia për përshkallëzim të situatës atje mund të prolongojë zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./E.Zeqiri/