Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu më 20 qershor 2008 mbajti një fjalim para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku shprehu shqetësimin se Serbia kishte promovuar një politikë që udhëheqësit e saj e quajnë “ndarje funksionale” të serbëve nga shqiptarët në Kosovë.
Ai tha se Serbia ka organizuar zgjedhje gjatë kësaj pranvere për qeveritë ilegale paralele të komunave në territorin e Kosovës por edhe ka dekurajuar serbët etnikë nga pjesëmarrja në qeverinë e Kosovës apo nga raportimi përmes një zinxhiri komandues multi-etnik të policisë.
Sejdiu gjatë këtij fjalimi ishte fokusuar te shpallja e pavarësisë në përputhshmëri me rekomandimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisaari, njohjet e pavarësisë, që në atë kohë ishin 43, miratimin e 40 ligjeve në Kuvend, hyrjen në fuqi të Kushtetutës dhe fundin e periudhës së administrimit të OKB-së në Kosovë.