Gjykatës Kushtetuese të Kosovës po i kërkohet të vendosë masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit, megjithëse kryeparlamentari Dimal Basha, ka mbyllur punimet e seancës konstituive, shkruan KosovaPress.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thonë se Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë masë të përkohshme, pas ankesës së Listës Serbe në organin më të lartë juridik në vend. Sipas tyre, Kuvendi nuk është konstituuar pasi nuk është zgjedhur edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb. Vendimmarrje të shpejtë të Kushtetueses pret edhe ish-gjyqtari në këtë institucion, Kadri Kryeziu.
Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 30 gusht, pasi kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, mori vendim që zgjedhja e dy nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë të bëhet ndaras dhe jo në pako, sikurse ka qenë praktika e kaluar.
Kësisoj, nga radhët e komuniteteve joserbe, Emilja Rexhepi u zgjodh nënkryetare, mirëpo dhjetë deputetë të komunitetit serb, përfshirë edhe Nenad Rashiq, dështuan të sigurojnë 61 votat për të marrë këtë post.
“Duhet të presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë në bazë të meritave të rastit. Presim që fillimisht të vendosë një masë të përkohshme, mandej në ditët në vijim të presim një aktgjykim të Kushtetueses që do të na shpijë drejt tejkalimit të kësaj krize që jemi”, thotë ai.
Ndërkaq, ish-gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë për KosovaPress se Kushtetuesja duhet të japë një përgjigje për ankesën e Listës Serbe, derisa shton se situata aktuale politike është e paprecedentë.
Pas pesë muajsh dhe gjashtëdhjetë tentimesh, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.
Basha, në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe të formohet qeveria pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së në Kryesinë e Kuvendit nuk morën pjesë të hënën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, të thirrur nga kryeparlamentari Basha.
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dërgojë emrin e mandatarit për kryeministër te presidentja Vjosa Osmani.
Artikulli i plotë në sistemin me parapagim