Për seancën e sontme të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidenit, ka reaguar Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e cila dënon ashpër përpjekjen për ta çuar përpara zgjedhjen e Presidentit pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues. Një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.
Sipas njoftimit, vendimet dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese kanë sqaruar qartë standardin që duhet ndjekur, sipas së cilit përcaktohet që procedura e zgjedhjes së Presidentit kërkon pjesëmarrjen e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve në raundin e parë dhe të dytë të votimit, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti procedura vazhdon në raundin e tretë.
KDI vlerëson se kjo qasje krijon një precedent të rrezikshëm dhe hap rrugë për interpretime të njëanshme të rregullave kushtetuese. Prandaj, KDI u bën thirrje deputetëve që të respektojnë standardet kushtetuese dhe të shmangin veprime që thellojnë krizën institucionale. Po ashtu, atyre u bëjmë thirrje edhe që të ndalojnë çdo veprim që cenon rendin kushtetues dhe të rikthehen në respektimin e plotë të procedurave kushtetuese.
Po ashtu edhe lideri i LVV-së, Albin Kurti dy ditë më parë, në një video-mesazh kishte thënë: “Meqenëse problemi kryesor mbetet nevoja për 80 deputet për kuorum te çështja e presidentit, zgjedhjet nuk mund të sjellin zgjidhje”.Në Kuvendin e Kosovës u mbajt raundi i parë i votimit për president, ndonëse në sallë nuk ishin të pranishëm dy të tretat e deputetëve.