SBASHK-u ka reaguar ndaj akuzave të Albin Kurtit se janë pjesë e ish-koalicionit qeverisës PAN, duke thënë se me deklarime të tilla Qeveria sikur “po angazhohet që greva të vazhdojë”.
Në një komunikatë për media SBASHK-u thotë se ka pritur që gjatë këtij vikendi të arrihej një marrëveshje e pranueshme, por një gjë e tillë nuk ndodhi, andaj greva do të vazhdojë.
SBASHK ka bërë të ditur se në takimin me kryetarët e Këshillave greviste të nivelit komunal e të universiteteve u tha se injorimi i kërkesave legjitime të grevistëve po bëjnë që greva të vazhdojë, ndërkohë që do të bëjnë përpjekje që të bisedojnë me Qeverinë për të gjetur një mënyrë të realizimit të kërkesave.
Ndryshe, greva në arsim ka nisur më 25 gusht, me kërkesat për 100 euro shtesë deri në hyrjen fuqi të ligjit të pagave, gjë e cila është hedhur poshtë nga Qeveria, e cila ka ofruar një zgjidhje prej 50 eurosh, me premtimin se një gjë e tillë do të shikohet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm në varësi të shkallës së inflacionit.