SBAShK kundërshton Draft Ligjin e Pagave, paralajmërohen protesta
Lexohet për: 4 min.
sbashk
2 vite më parë
Linku u kopjua

Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) kanë kundërshtuar Draft Ligjin e Pagave, veçmas shtojcat e koeficienteve.

Në komunikatën për medie nga SBAShK thonë se anëtarët e Këshillit Drejtues dhe kryetarët e nivelit komunal sindikal të Universiteteve kanë marrë vendim unanim se nëse MASH dhe ministria e Punëve të Brendshme i ikin takimeve me përfaqësuesit e SBASHK nuk i përfillin kërkesat e tyre atëherë do të marrin veprime radikale.

“Në orët e mbrëmjes së të dielës SBASHK-u ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm me Këshillin Drejtues dhe me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve për të vazhduar me konsultimet edhe  në paraditen e së hënës. Temë kyçe e debatit në këtë takim ishte versioni që po qarkullon i Draftit të Ligjit të ri të pagave e veçmas shtojcat e koeficienteve. Përfaqësuesit e të punësuarve në arsim, që nga çerdhet e deri në Universitete , pasi kanë bërë  vërejtje konkrete, kanë shprehur kundërshtime të bazuara  ndaj këtij versioni të Draft Ligjit  të pagave. Për SBASHK-un është i papranueshëm raporti i koeficienteve  1 me 20 ,që favorizon shumë qeveritarët në dëm të të punësuarve në arsim, kulturë por edhe sektorë të tjerë, e po ashtu është e papranueshme edhe tendenca për zbritje të koeficienteve për numrin më të madh të të punësuarve në arsim”, thuhet në komunikatën e SBAShK-ut.

Tutje në komunikatë thuhet se “Pjesëmarrësit e këtij takimi të jashtëzakonshëm  pas një debati të gjatë e konstruktiv kanë  autorizuar Kryesinë dhe komisionin e ekspertëve të fushës që të vazhdojnë me angazhimet dhe t’ia prezantojnë Ministres Nagavci dhe Ministrit Sfeçla propozime konkrete  e të argumentuara të SBASHK-ut me qëllim që të punësuarit në tërë sektorin e arsimit dhe në atë të kulturës të kenë vend meritor në Ligjin e ri të Pagave , e jo  pozitë nënçmuese e të degraduar, siç është tani në versionin , që po qarkullon, të Draft Ligjit të Pagave. Anëtarët e Këshillit Drejtues dhe   kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve kanë  marr vendim unanim se nëse MASHTI dhe Ministria që drejton Ministri Sfeçla i ikin takimeve me përfaqësuesit e SBASHK-ut ,apo nuk përfillin kërkesat e argumentuara të punëtorëve të tërë sektorit të arsimit e të kulturës, atëherë në  pjesën e parë të marsit do të ketë veprime sindikale paralajmëruese, gjegjësisht protesta me numër të  kufizuar pjesëmarrësish dhe nëse edhe pas kësaj nuk do të ketë ndryshime  pozitive, atëherë do të shkohet me veprime edhe më radikale, duke mos përjashtuar as grevën e përgjithshme në tërë sistemin arsimor që nga çerdhet , Në Arsimin Parauniversitar dhe në Universitete”.

SBAShK-u vazhdon komunikatën me atë se “Nga ky takim dhe nga konsultat e zhvilluara u mor vendimi që SBASHK të kërkojë nga Qeveria të ngritën pagat në mënyrë lineare në vlerën prej 100 euro për gjithë të punësuarit në arsim, shkencë e kulturë nga muaj prill e  deri  kur të nis së implementuari Ligji i ri i pagave, që duhet të jetë produkt i marrëveshjes paraprake mes Qeverisë dhe sindikatave”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025