Samiti i radhës i Procesit të Berlinit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 16 tetor në Tiranë të Shqipërisë.
Kjo u bë e ditur nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Berlin.
Në konferencën e përbashkët për medie me Ramën, kancelari gjerman tha se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian ka rëndësi strategjike për shtetin e tij.
“Ballkani Perëndimor dhe integrimi i tij në Bashkimin Evropian janë shumë të rëndësishme për mua. Në shumë raste kam tërhequr vëmendjen se kjo është një nga detyrat shumë të mëdha që duhet të përmbush Evropa tani. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe familjes evropiane. Prandaj gëzohem që në tetor në Shqipëri do të organizohet samiti i radhës i Procesit të Berlinit, përgatitjet për këtë kanë përparuar dhe më 16 tetor samiti do të zhvillohet. Në këtë mënyrë samiti i Procesit të Berlinit për herë të parë të procesit do të zhvillohet në kryeqytetin e një shteti të Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit ka treguar prej vitit 2014 se çfarë potenciali ndodhet në bashkëpunimin gjithëpërfshirëse të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në takimin e fundit vitin e kaluar pjesëmarrësit nënshkruan tri marrëveshje për krijimin e tregut të përbashkët rajonal. Shqipëria ishte vendi i parë i rajonit që ratifikoi të tri marrëveshjet, ky është një model i mirë për rajonin dhe përparim i rëndësishëm. Me një treg të përbashkët në rajon garantohen katër liritë bazë, qarkullimi i lirë i personave, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Integrimi i shpejtë i të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, dëshiroj të ritheksoj për qeverinë gjermane ka rëndësi strategjike. Dëshirojmë që t’i mirëpresim ata sa më shpejtë të jetë e mundur si anëtarë në Bashkimin Evropian. Prandaj përparimi i Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit të BE-së janë një sinjal i mirë”, tha ai.
“Ky samit do të jetë një samit që do të vazhdojë rrugën e çelur në thellimin e procesit. Do të trajtojë sigurisht bilancin e arritjeve të këtij procesi dhe patjetër objektivat për t’u arritur më tutje. Po ashtu do të fuqizojë bashkëpunimin në rajon edhe më shumë. Bashkëpunimi rajonal është e vetmja rrugë që ne kemi dhe në këtë rrugë jemi me fat që Gjermania është një bashkudhëtar i vëmendshëm dhe përfshirë drejtpërdrejtë”, theksoi Rama.
Në nëntor të vitit të kaluar është mbajtur samiti i fundit i Procesit të Berlinit, ku gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar tri marrëveshje ndërmjet tyre për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve pensionale.