Më 13 dhjetor në Bruksel pritet të zhvillohet samiti i përbashkët i liderëve të Bashkimit Evropian me kolegët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosovën në këtë samit pritet ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani, ndërsa Serbinë kryeministrja Ana Bërnabiq.
Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pritet që të jetë një prej temave kryesore të debatit pasi vlerësohet se këto raporte janë kyçe për stabilitetin e gjithë rajonit. Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draftin e deklaratës që pritet të miratohet në këtë samit.
Bashkimi Evropian edhe përmes kësaj deklarate do të përsërisë përkushtimin e pa rezervë për perspektivën e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e këtij procesi, bazuar në meritat individuale të vendeve kandidate në procesin e reformave dhe përmbushjen e kritereve.
Teksti i draftit është përpiluar nga Bashkimi Evropian dhe pritet që atë ta mbështesin edhe liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Edhe nga ky samit pritet t’u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që pa vonesa t’i përmbushin obligimet nga dialogu të cilin e lehtëson Bashkimi Evropian.
“U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet më tej në pjesën që u kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Aty, po ashtu, përsëritet edhe ftesa për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës.
Bashkimi Evropian do t’u bëjë ftesë të gjithë partnerëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që t’’ zgjidhin të gjitha mospajtimet e tyre dhe çështjet e hapura.
BE-ja në këtë samit do të shprehë edhe përkushtimin për të ndihmuar vendet e rajonit në përballje me pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, si në aspektin e energjisë, ashtu edhe në përballje me kërcënimet hibride që vijnë nga Rusia.
“Përderisa ne thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne u bëjmë ftesë atyre që të bëjnë progres të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përshtatjes së plotë me politikën e e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë edhe masat restriktive të BE-së në këtë drejtim. Ne vlerësojmë ata partnerë nga Ballkani Perëndimor, të cilët tashmë kanë dëshmuar përkushtimin e tyre strategjik duke u përshtatur në tërësi me politikën e jashtme të BE -së dhe i inkurajojmë ato të cilat nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri më tash që ta ndjekin këtë rrugë. Ne, po ashtu, i inkurajojmë përpjekjet e përmirësuara për të zbatuar masat restriktive dhe parandalimin e anashkalimit të tyre”, thuhet në këtë tekst.
Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet më 13 dhjetor, një ditë para se të mblidhet edhe Këshilli Evropian, ku zgjerimi do të jetë njëra prej temave kryesore./rel/