Rutte nesër në Bosnjë dhe Hercegovinë, të martën në Kosovë
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Rutte nesër në Bosnjë dhe Hercegovinë, të martën në Kosovë
Mark Rutte: NATO do të punojë me këdo që udhëheqë Kosovën
09/03/2025 - 20:48
Linku u kopjua

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë nesër Bosnjë dhe Hercegovinë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, do të takohet me zyrtarë të nivelit të lartë nga Bosnja dhe Hercegovina, duke përfshirë kryesuesin dhe anëtarët e Presidencës, Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministrin e Mbrojtjes dhe Ministrin në detyrë të Sigurisë.

Sipas njoftimit, Rutte do të vizitojë gjithashtu selinë e NATO-s në Sarajevë (NHQSa) në Kampin Butmir, ku do të takohet me Komandantin e NHQSa-së, Përfaqësuesin e Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian, raporton KosovaPress.

Rutte të angazhohet gjithashtu me studentët në Universitetin e Sarajevës.

“Në orën 13:00. Deklarata të përbashkëta për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me përfaqësuesit e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës. Në orën 14:45, fjala e ndjekur nga shkëmbimi i mendimeve të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me studentë në Universitetin e Sarajevës. Deklaratat e përbashkëta për shtyp dhe angazhimi në Universitetin e Sarajevës do të transmetohen drejtpërdrejt në faqen e NATO-s. Deklarata e përbashkët për shtyp do të jetë gjithashtu e disponueshme në EBU News Exchange”, thuhet në njoftim.

Kjo vizitë vjen pas tensioneve në këtë shtet, ku presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mbrëmjen e 5 marsit ka nënshkruar dekretet për shpalljen e ligjeve jokushtetuese, të miratuara në Kuvendin e këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës, me të cilat ndalohet veprimtaria e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës (VSTS). Ky dekret ka ngjallur reagime të shumta ndërkombëtare.

Përndryshe, pas Bosnje dhe Hercegovinës, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, zëvendësja e tij, Radmila Shekerinska, së bashku me ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut do të vizitojnë Kosovën më 11 mars.

Gjatë kësaj vizite, Rutte do të takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenten Vjosa Osmani. Me këtë të fundit do të mbajë edhe një konferencë të përbashkët për media.

Shefi i NATO-s do të takohet edhe me udhëheqësit e misionit paqeruajtës të aleancës ushtarake perëndimore në Kosovë, KFOR, si dhe me ata të Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian (EULEX) dhe përfaqësues të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Kjo do të jetë vizita e parë e Ruttes në Kosovë që kur ai mori drejtimin e NATO-s tetorin e vitit të kaluar. Po ashtu kjo vizitë do të realizohet, disa ditë pasi ai deklaroi se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026