Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi sot se aleatët do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni i KFOR-it në Kosovë të ketë forcat dhe burimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë.
Ai i bëri këto komente gjatë një konference për shtypin në përfundim të takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, gjatë të cilit është diskutuar edhe për operacionin e aleancës në Kosovë.
Rutte një ditë më parë ngriti shqetësimet për mungesën e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Do të thotë se ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe faktin se procesi i dialogut mes Prishtinë dhe Beogradit nuk është duke ecur siç do të dëshironim...”, tha ai.Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime 13 vjeçare për normalizimin e marrëdhënieve që kanë shënuar përparim të paktë, ndërsa një marrëveshje për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar as që ka filluar të zbatohet. /VOA