Ukraina, Rusia, Turqia dhe Kombet e Bashkuara kanë dështuar që të autorizojnë kalimin e anijeve të reja, përmes marrëveshjes për eksporte nga Deti i Zi që mundëson transportin e sigurt të drithërave ukrainase.
Moska sërish ka kërcënuar se do të largohet nga marrëveshja më 18 maj nëse pengesat që ekzistojnë për transportin e drithërave të saj nuk hiqen.
Zyrtarët nga të gjitha palët e përfshira në këtë marrëveshje janë pjesë e Qendrës së Përbashkët të Koordinimit që gjendet në Stamboll e që zbaton marrëveshjen për drithërat që u arrit korrikun e vitit të kaluar.
Ukraina çdo ditë paraqet listën me anijet e reja që duhet të marrin autorizim për të transportuar mallra. Kur këto anije marrin autorizim, atëherë zyrtarët nga Qendra e Përbashkët Koordinuese i inspektojnë ato në Turqi, përpara se anijet të nisen drejt porteve ukrainase në Detin e Zi për të marrë mallrat dhe për t’u kthyer sërish në ujërat turke, ku iu nënshtrohen një inspektimi tjetër.
Sipas të dhënave, tetë anije janë në pritje që të marrin autorizim.
OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan marrëveshjen për drithërat për të lehtësuar krizën botërore ushqimore, që është përkeqësuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
Edhe pse eksportet ruse nuk janë pjesë e sanksioneve perëndimore, që u vendosën pas pushtimit të Ukrainës, Moska ka thënë se sanksionet ndaj pagesave dhe logjistikës paraqesin pengesa edhe në eksportet e saj bujqësore, shkruan Rel. Moska ka thënë se nuk do ta vazhdojë marrëveshjen e drithërave pas 18 majit, nëse kërkesat e saj nuk plotësohen.