Tifozët gjermanë të futbollit duhet të mbushin “Allianz Arenan” e Bayern Munichut për të përkujtuar siç duhet jetën e të madhit Franz Beckenbauer, i cili vdiq në moshën 78-vjeçare të dielën, tha të martën ish-shoku i skuadrës dhe ish-shefi i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge.
Beckenbauer, i cili ishte ylli i parë sportiv i Gjermanisë dhe e udhëhoqi atë drejt titullit të Kupës së Botës si lojtar dhe trajner në vitin 1974 dhe 1990, ishte bërë pjesë e strukturës shoqërore të vendit në një karrierë jashtëzakonisht të suksesshme brenda dhe jashtë fushës, raporton KosovaPress.
Ai gjithashtu drejtoi komitetin organizativ për Kupën e Botës 2006 të mbajtur në Gjermani.
“E gjithë bota e futbollit dhe më gjerë është e pikëlluar për mikun tonë Franz”, tha Rummenigge, i cili luajti së bashku me Beckenbauer në Bayern Munich në vitet 1970, për gazetën “Bild”.
Beckenbauer ishte pjesë e skuadrës së fuqishme të Bayern Munichut që fitoi tre Kupa Evropiane radhazi nga viti 1974 deri në 1976. Ai u bë trajneri i ekipit dhe presidenti i klubit pas karrierës së tij si lojtar, duke e vendosur kampionin gjerman si një nga skuadrat më të suksesshme dhe më të vlefshme në futbollin evropian.