Të enjten e ardhshme 50 delegatë të Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës pritet ta zgjedhin kryetarin e ri të kësaj ode.
Ndonëse ende nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare deri më tani për kryetar, kryetari në largim i OEK-ut, Berat Rukiqi ka thënë se për këtë pozitë ka garë dhe nuk pritet të jetë vetëm një kandidat.“Dje pas dite i kanë marr ftesat për kuvend. Mbledhja e Kuvendit është të enjten, krahas saj 50 delegatët e kanë mundësinë me qenë të propozuar nga subjekti I shoqatës që është pjesë e kuvendit për kandidatë për kryetar. Deri në këto momente nuk ka që dikush zyrtarisht e ka shpallur kandidaturën për kryetar. Unë nuk dua të flas se kush janë kandidatët deri tash, sepse shumica prej tyre, disa më herët e disa më vonë kanë filluar lobimin për me qenë kryetar të OEK-ut, por normalisht nuk je konditat derisa nuk e dorëzon kandidaturën zyrtarisht dhe derisa nuk certifikohet si kandidaturë. Nga pozicioni im nuk më lejohet me komunikuar se kush mund jetë si mund të jetë deri në momentin që kemi kandidatura zyrtare. Por, është një garë e hapur, dhe krejt çka mundem me thënë është se vërtet do të ketë garë, nuk do të ketë vetëm një kandidat”, theksoi Rukiqi.
Rukiqi ka thënë se mungesa e stabilitetit politik, pandemia COVID-19 dhe kriza e fundit me rritjen e çmimeve ishin ndër sfidat kryesore në vitet e fundit për OEK-un.
Ai tha se në mandatin e tij për katër vite kanë adresuar barrierat e kompanive kosovare për tregti me vendet e rajonit, ku si rezultat i kësaj, sipas tij është rritur eksporti me vende të rajonit për 60 për qind.
Sa i përket të arriturave, Rukiqi tha se kanë promovuar edhe investimet e huaja në Kosovë.
Në fund, Rukiqi pati një porosi për pasardhësin e tij që të ketë në fokus reformat për investime dhe eksport. /I. Shabani/