Plani Hapësinor për parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” për ta shndërruar zonën e Rugovës në një park nacional ka shfaquar pakënaqësi te rugovasit. Banorët kërkojnë që mos të vendoset ky plan, të ndryshohet ligji dhe prej ligjit të hiqen pronat private nga parku nacional. Ndërsa, nga komuna thanë se duhet ta mbrojnë edhe interesin e banorëve, por njëkohësisht edhe parkun.
Qytetari nga Peja, Veton Mujaj tha për KosovaPress se mbi 330 persona në një debat publik njëzëri ishin kundër planit hapësinor për parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, por siç tha ai, duket se ka hasur në vesh të shurdhër.
Ndërsa, zëdhënësi i komunës së Pejës, Faik Zekaj deklaroi se kanë kërkuar që të hiqet zona e parkut, sepse sipas tij, po u shkakton probleme në ndërtime dhe “askush nuk po merr përgjegjësi”.
Ai tha është projekt i mirë, por mbetet të shihet nëse do të votohet nga deputetët, derisa shtoi se dhe janë me shqetësimet e banorëve.
Ai shtoi se përmes dëgjimeve publike, janë adresuar ankesat e qytetarëve dhe se nuk është korrekte që disa njerëz që nuk e vizitojnë apo njohin Rugovën, të vendosin për të.
“Besoj që i kanë marrë parasysh shqetësimet e banorëve, për të votuar, dhe nëse jo nuk e di se si mundet të bëhet një plan kur nuk merren shqetësimet e atyre njerzëve që jetojnë atje. Nuk është korrekte që disa njerëz që nuk e vizitojnë apo njohin shumë Rugovën, të vendosin për të... Ne kemi pasur dëgjimet publike dhe kanë marrë pjesë dhe deputetë dhe ata do të jenë të arsyeshëm me kërkesat e banorëve që i kanë pasur në atë dëgjim publik. Dëgjimet publike, dëgjimet me qytetarë janë vendet ku ne duhet të ankohemi. Ajo ka qenë dita më e mirë që ne i kemi shprehur shqetësimet tona, ose banorët i kanë shprehur shqetësimet e tyre”, tha Zekaj.
Sipas tij, gjithçka ka shkuar duke i anashkaluar qytetarët.
“Ankesat e qytetarëve deri më tani nuk janë marrë parasysh, ato që kanë ndodhur, kanë ndodhur gënjeshtra, për shkak se kanë ardhë komisione të caktuara qeveritare që janë thirrur, por asnjëherë nuk janë takuar me banorë. Gjithçka ka shkuar duke i anashkaluar banorët, për shkak se e kanë ditur se banorët kanë pasur ankesa të arsyeshme dhe të fuqishme, që jo shumë lehtë kanë për t’i pranuar për t’i zgjedhur. Nuk shoh për momentin shumë shpresë që këta do të marrin ankesë të banorëve, gradualisht me punën që janë duke e bërë. Qeveria në këtë rast, nëse vazhdon kështu dhe parlamenti, këta me qëllim po shtyjnë një lloje revolte të kësaj popullate të vogël”, shtoi ai.
Ndryshe, plani hapësinor për parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ka filluar qysh nga viti 2014./D.L