Në prag të përfundimit të mandatit katërvjeçar, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti thotë se Kosovën e ka përfaqësuar denjësisht në bisedimet me Serbinë në Bruksel.
Zyrtarë qeveritarë akuzojnë Serbinë se nuk ka treguar qasje konstruktive në dialog dhe thonë se është koha që BE-ja të evidentojë palën bllokuesi të procesit - Beogradin zyrtar.
Klisman Kadiu, këshilltar i Besnik Bislimit, kryenegociatorit në dialogu, thotë për KosovaPress se Kosova pranuar marrëveshjen bazike, por që e njëjta është refuzuar nga Serbia dhe kjo e fundit e keqpërdor çdo takim në nivel kryenegociatorësh në kuadër të procesit të dialogut.
“Në këta katër vjet, e kemi përfaqësuar denjësisht Kosovën në tryezën e dialogut dhe kemi shfaqur konstruktivitetin e gatishmërinë tonë për të ecur përpara me normalizimin e marrëdhënieve. E kemi një marrëveshje, atë Bazike dhe Aneksin e Implementimit të Ohrit, të cilat duhen pranuar e zbatuar nga të dyja palët. Kosova i ka pranuar ato në tërësi, është e gatshme për nënshkrim dhe zbatim, dhe nuk i shkel ato. Nga ana tjetër, Serbia bën krejtësisht të kundërtën. E ka refuzuar marrëveshjen edhe verbalisht edhe me shkrim përmes letrave drejt Bashkimit Evropian, e ka refuzuar nënshkrimin, e ka shkelur në vazhdimësi marrëveshjen... Qasja destruktive e Serbisë në procesin e dialogut, fatkeqësisht ka ecur paralelisht edhe me sulmet e saj në terren ndaj Republikës së Kosovës. Serbia ka tentuar, duke dështuar, të krijojë çështje artificiale, në mënyrë që të devijojë vëmendjen nga normalizimi i marrëdhënieve, rruga përpara, dhe pranimi e zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Presim nga BE që si ndërmjetësues në proces, qartësisht të evidentojë palën bllokuese të procesit, e që adresë kryesore e të vetme e ka Beogradin zyrtar”, thuhet në përgjigjen e tij me shkrim për KosovaPress.Edhe deputetja e AAK-së Time Kadrijaj kritikon Qeverinë Kurti për qasjen në dialog, duke thënë se pranoi marrëveshje të dëmshme për Kosovën.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku thotë se mungesa e progresit në dialog ka qenë gjë e pritur dhe se ai nuk pret që ky proces të këtë ndonjë përparim deri pas procesit zgjedhor në Kosovë.
Pjesë e marrëveshjes është edhe themelimi i asociacionit me shumicë serbe, por Qeveria e Kosovës nuk ka bërë ndonjë hap për zbatim. Me gjithë kërkesën e faktorit ndërkombëtar, Qeveria ka thënë se drafti i BE-së për asociacionin është një “non paper” dhe si i tillë nuk do të dërgohet në Kushtetuese.