Lëvizja paralimpike në Kosovë ka shënuar një moment historik me nënshkrimin e marrëveshjes së re vjetore për financim me Ministrinë e Rinisë dhe Sportit (MRS). Kjo marrëveshje, e cila sjell një rritje buxhetore prej mbi 10% pas tre vitesh, konsiderohet një hap vendimtar për zhvillimin dhe fuqizimin e parasportit në vend, duke hapur rrugën për suksese të reja në arenën ndërkombëtare.
Në një konferencë për media, drejtuesit e Komitetit Paralimpik të Kosovës dhe përfaqësues nga MRS shpalosën detajet dhe rëndësinë e kësaj mbështetjeje të shtuar. Presidentja e KPK-së, Njomza Emini, e cilësoi marrëveshjen si një vlerësim për punën e palodhshme dhe një mundësi për të krijuar kushte më të mira për sportistët me aftësi të kufizuara.
Përfaqësuesja e MRS-së, Donika Zogu, përcolli përshëndetjet e ministrit Gashani dhe rikonfirmoi zotimin e ministrisë për të mbështetur parasportin. Ajo theksoi se rritja e buxhetit nuk është e rastësishme, por një reflektim i punës së jashtëzakonshme të Komitetit. "Rritja e buxhetit është një deklaratë e qartë e vullnetit tonë politik dhe institucional për barazi, përfshirje dhe mbështetje reale," tha Zogu, duke shtuar se tashmë federatat e parabasketbollit, paravolejbollit dhe boçes financohen drejtpërdrejt nga ministria.
“Kjo rritje nuk është e rastësishme. Është si rezultat i një qasje serioze edhe të qëndrueshme sa i përket Ministrisë së Sportit dhe Rinisë ndaj parasportistëve tanë, por edhe një reflektim i drejtpërdrejtë i punës së jashtëzakonshme që ka bërë Komiteti Paralimpik në organizim dhe fuqizimin e komunitetit. Ne e kemi shumë të qartë se parasportistët tanë nuk përfaqësojnë vetëm sukseset sportive, por edhe vlera të jashtëzakonshme të qëndrueshmërisë dhe fuqizimit të komunitetit, përkushtim, dinjitet njerëzor”, theksoi Zogu.KosovaPress