Rritja ekonomike e Kinës bie ndjeshëm, duke mos arritur objektivin
Dëgjoje me zë...
Rritja ekonomike e Kinës bie ndjeshëm, duke mos arritur objektivin
Rritja ekonomike e Kinës u ngadalësua ndjeshëm në tremujorin e dytë të vitit, pasi kërkesa e dobët e brendshme dhe ndikimi i luftës me Iranin në çmimet e naftës zbehën ndikimin e eksporteve të forta.
Sipas të dhënave zyrtare, ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit për 4.3% nga prilli deri në qershor, pas rritjes për 5% në tremujorin e parë dhe nën objektivin vjetor të Pekinit prej 4.5%-5%.
Sipas BBC, kjo periudhë shënon tremujorin e parë të plotë që nga fillimi i luftës me Iranin më 28 shkurt dhe ritmin më të ulët të rritjes që nga fundi i vitit 2022.
Byroja Kombëtare e Statistikave e Kinës tha se ekonomia po përballet me "paqëndrueshmëri dhe pasiguri të jashtme", si dhe me një çekuilibër mes ofertës së lartë dhe kërkesës së dobët.
Të dhënat tregojnë gjithashtu probleme në tregun e pasurive të paluajtshme dhe shpenzimet e konsumatorëve. Çmimet e banesave të reja ranë me 0.1% në qershor, ndërsa shitjet me pakicë u rritën me 1%.
Megjithatë, eksportet kineze shënuan rritje të fortë, me një rritje për 27% në qershor. Eksportet e teknologjisë u mbështetën nga kërkesa globale për gjysmëpërçues dhe inteligjencë artificiale, ndërsa automjetet elektrike ndihmuan që eksportet mujore të makinave të kalonin për herë të parë një milion njësi.